Heqja e TVSH-së/ Burime: Në diskutim edhe pragu i tatimit, mund të rritet nga 2 në 8 mln lekë

Aktualitet
Heqja e TVSH-së/ Burime: Në diskutim edhe pragu i tatimit, mund

Është drejt finalizimit drafti për heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe të tatim-fitimit për biznesin e vogël me xhiro vjetore 14 milionë lekë xhiro, me jetëgjatësi deri në vitin 2029.

Burime konfidenciale për Report TV konfirmojnë faktin se diskutimet tashmë janë përqendruar tek TVSH-ja, e cila sjell edhe më shumë të ardhura në buxhet, dhe që është nga zërat kryesorë në të ardhurat tatimore. Ndërsa për tatim-fitimin vendimi është marrë për tu hequr plotësisht.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Të njëjtat burime thonë se për të arritur në një draft final, pa kosto për biznesin dhe të zbatueshëm, Ministria e Financave po bashkëpunon ngushtë edhe me FMN-në, e cila gjithmonë ka kritikuar ndarjen në fasha tatimore të bizneseve. Aktualisht mësohet se janë disa versione që po diskutohen për heqjen e TVSH-së, por dy janë alternativat kryesore.

Mundësia e parë është heqja totale e TVSH-së për biznesin e vogël, siç premtoi edhe kryeministri Edi Rama më 10 qershor një ditë pasi u mor eurobondi prej 650 milionë euro.

Ndërsa versioni i dytë i mundshëm është rritja e pragut të TVSH-së. Sipas burimeve po shikohet mundësia që të mos paguajnë TVSH, bizneset me xhiro vjetore deri në 8 milionë lekë, pra ky të jetë pragu i ri që ndan biznesin e vogël nga biznesi i madh.

Për Fondin Monetar Ndërkombëtar nuk duhet të ketë fasha biznesesh, por të gjithë të paguajnë këtë tatim, ide që e mbështesin edhe ekspertët të cilët thonë se krijimi i fashave lë hapësira për evazion fiskal. Por që ende nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet e huaja për këtë program afatgjatë të qeverisë.

Por në këtë paketë që do të jetë për 9 vitet e ardhshme për bizneset, po analizohet edhe mundësia që të përfshihen reduktime të tjera taksash. Gjithçka finale dhe paketa e re fiskale pritet të prezantohen javën e parë të muajit korrik, ndërsa javën e ardhshme do të publikohet drafti i rishikuar i buxhetit të shtetit.

Por për Partinë Demokratike çdo lloj pakete që nuk ka të bëjë me taksën e sheshtë është e padrejtë. Sipas kreut të PD Lulzim Basha taksa e sheshtë 9% dhe plani i tyre ekonomik do të inkurajojë investimet e brendshme dhe të huaja, do të nxisë punësimin dhe do të rrisë fuqinë blerëse.

ME TE LEXUARAT