OBSH: Pandemia e Covid 19 po përhapet me shpejtësi në Afrikë

Drejtorja rajonale për Afrikën, Matshidiso Moeti, tha se koronavirusi po përhapet përtej kryeqyteteve dhe se mungesa e testeve dhe e furnizimeve po i pengon përgjigjet ndaj tij.
Deri më tani, Afrika ka qenë kontinenti më pak i prekur nga Covid 19.
Matshidiso Moeti, në një konferencë në selinë e OBSH-së në Gjenevë tha se Afrika e Jugut ka më shumë se një të katërtën e rasteve të raportuara dhe po përjeton rritje të numrit të të infektuarve dhe viktimave në provincat e Kepit Lindor dhe Kepit Perëndimor.
Drejtorja rajonale për Afrikën, shtoi se Kepi Perëndimor duket i ngjashëm me shpërthimet e fundit në Evropë dhe në SHBA.
Në total, ka rreth 200.000 raste të të infektuarve dhe 5.000 viktima.
Kjo e fundit tha se:
“Edhe pse këto raste në Afrikë përbëjnë më pak se 3% të totalit global, është e qartë se pandemia është duke marrë hov”.
Në gjithë botën, koronavirusi ka prekur mbi 7.4 milionë njerëz. Prej tyre, mbi 3.4 milionë janë shëruar dhe mbi 417.000 kanë ndërruar jetë.