Lajmi Fundit
LajmiFundit, Portal me Lajme nga Shqiperia

E quajti “balonë tabake”, Rama dhe Tabaku debat në distancë

Ditën e sotme kryeministri Edi Rama, në konferencën që zhvilloi për mediat tha se Partia Demokratike flet si balonë tabake, pa bisht dhe e shkëputur nga realiteti.

Kryeministri tha se, në kohën kur PD ishte në pushtet, shifrat nuk ishin me të.

Pas kësaj deklarate, nuk mungoi edhe reagimi i ish deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila në një reagim në Facebook, shkruan se Rama është një gënjeshtar i paskupullt dhe sulmon kundërshtarët sa herë në vështirësi.

Kjo e fundit shtoi se, ekonomia sot është në prag falimenti, bizneset po mbyllen, njerëzit marrin ushqim me lista, por Edi Rama vazhdon të firmosë koncesione korruptive 2.2 miliardë euro.

Por, e shpejtë ka qenë edhe përgjigja e Ramës, i cili po në rretin e tij social të “Facebook”, thotë se gjuha e fyerjeve s’është as argument, as shembull qytetarie në një shoqëri që ka nevojë për t’u pastruar në gjak e në mendje nga helmi i fjalëve të rënda.

Më tej, ai shtoi se Eurobondi ishte një sukses kuptimplotë, përmbajtja e të cilit është pasqyrë e qartë e zbrazëtisë së propagandës politike-mediatike kundër qeverisë.

Më konkretisht, Kryeministri Edi Rama tha se:

“Përmbahu zonja Tabaku, përmbahu sepse gjuha e akuzave dhe fyerjeve nuk është as argument, as shembull qytetarie në një shoqëri që ka nevojë për t’u pastruar në gjak e në mendje nga helmi i fjalëve të rënda, të cilat prej vitesh janë bërë buka dhe djathi i tregut të politikë. Doni s’doni ju Eurobondi ishte një sukses kuptimplotë, përmbajtja e të cilit është pasqyrë e qartë e zbrazëtisë së propagandës politike-mediatike kundër qeverisë dhe në fakt, kundër vetë Shqipërisë që ju e tregoni përditë si ferrin mbi tokë! Shqipëria dje triumfoi, doni s’doni.”

Në datë 4 qershor Kuvendi miratoi ligjin për daljen në tregjet ndërkombëtare për eurobondin, ndërsa pas komunikimit me Presidentin Meta, ky i fundit e dekretoi menjëherë.

650 milionë euro është vlera që vendi ynë kërkon në tregjet ndërkombëtare në formën e eurobondit, 250 milionë euro për të financuar Eurobondin e marrë në vitin 2015, që ishte në vlerën e 450 milionë euro me normë interesi 5.75% dhe që i mbaron afati i shlyerjes në 12 nëntor 2020, ndërsa pjesa tjetër për tërmetin që goditi Shqipërinë vitin e kaluar dhe shpenzimet.

Shqipëria ka dalë në këto tregje për herë të parë në vitin 2010 kur mori 300 milionë euro dhe së fundmi në vitin 2018 qeveria doli përsëri në tregjet ndërkombëtare duke marrë një eurobond në vlerën e 500 milionë Eurove, me interes 3.55%.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet