Lajmi Fundit
LajmiFundit, Portal me Lajme nga Shqiperia

Tonelata mbetje digjen në Manëz, banorët bllokojnë kamionët: Masakër mjedisore

Problemi i djegies së plehrave të qarkut Durrës në Manëz nuk është një problematikë që shfaqet papritur, për të është folur prej më shumë se një viti ku edhe janë zhvilluar protesta sporadike.

Megjithatë duket se banorëve të Manzës u ka ardhur në majë të hundës me to dhe sot është dita e tretë që janë ngritur në protestë dhe kanë bllokuar rrugën ku kalojnë kamionët me mbetje.

Me dhjetëra banorë janë ngritur në protestë dhe kanë paralajmëruar për përshkallëzim të saj nëse nuk merren masa që mbetjet urbane të Durrësit të mos derdhen më në Manzë, ku edhe u vihet flaka duke shkaktuar një masakër ndaj ambientit dhe shëndetit të banorëve.

Lidhur me çështjen ka reaguar kreu i PD-së në zonën e Manzës Gazmir Luku, ku në një lidhje telefonike me “Faxweb” tha se nuk mund të hidhen dhe të digjen plehrat në këtë zonë, që është në afërsi të një atraksioni turistik siç është Gjiri i Lalzit. Kreu i PD-së tha se mbetjet që hidhen pranë një përroi përshkojnë një gjatës prej 10 kilometrash derisa mbërrijnë në det, ndërkohë që uji i përroit përdoret dhe nga banorët për ujitjen e të mbjelljave, duke rrezikuar dhe cilësinë e tyre.

Luku tha:

“Njësia vendore Manzë ka një popullsi rreth 12 mijë banorë, në afërsi të minierës së qymyrgurit, ka pasur një vend ku hidheshin plehra, të vetë qytezës. Por jo që të vijnë dhjetra kamionë të qytetit të Durrësit, që janë 8 ditë pa u mbledhur plehrat. Nuk mund të sillen 200-300 ton mbetje në Manzë, plehrat hiqen nga Durrësi dhe sillen në Manzë, që është një zonë shumë e bukur.

Nga përroi do të shkojnë në det, që është një gjatësi rreth 10 kilometra, dhe do të ndosë të gjithë zonën. Qytetarët marrin ujin e përroit për zarzavatet, jemi në vitin 2020 dhe ne ende i hedhim mbeturinat vend e pa vend, ju lutem kemi të bëjmë me një zonë turistike, a është kjo një katastrofë ekologjike apo nuk është. Prej tre vitesh në atë përrua hidhen plehrat e Manzës, Sukthit dhe Ishmit, duhet të ndahen llojet e mbetjeve, pasi ka dhe mbetje spitalore.

Janë mbeturina që lëshojnë erë, nuk mund të presim ne sa të lidhet marrëveshja, aq më shumë që plehrave u është vënë flaka, nuk jetohet aty, kemi njerëz me amëz, njerëz të vjetër, kjo është bërë e padyrueshme. Duhet të shtojmë se në këtë zonë derdhen pa asnjë filtrim të mëparshëm dhe fekalet e komunitetit muxhahedin. Ne do të vazhdojmë protestat, unë kam lindur, jetoj dhe do të vdes në manëz, po nuk punuam ne sot për brezat e ardhshëm, do të shtohen sëmundjet kancerogjene, edhe mbeturinat e Manzës vetë nuk duhet të hidhen ashtu pa asnjë selektim.”

<iframe width=”1195″ height=”672″ src=”https://www.youtube.com/embed/ysyU5UIWqfc” frameborder=”0″ allow=”accelerometer; autoplay; encrypted-media; gyroscope; picture-in-picture” allowfullscreen></iframe>

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet