Mjekët nga Qendra Mjekësore e Universitetit të Pittsburgh kanë dhënë sot një lajm të mirë, teksa kanë deklaruar se koronavirusi sa vjen dhe po bëhet më pak i fuqishëm.
Kryetari i mjekësisë emergjente në UPMC, Donald Yealy, në një konferencë për shtyp, tha se njerëzit duket se po infektohen më vështirë dhe se ata që e marrin virusin, e kalojnë më pak rëndë krahasuar me ata që sëmureshin në fillim të këtij viti.
Ky i fundit tha se: “Virusi mund të jetë duke ndryshuar. Disa modele sugjerojnë se fuqia e tij është zvogëluar”.
Gjithashtu, vuri në dukje se UPMC ka trajtuar me sukses më shumë se 500 pacientë me koronavirus që nga muaji mars, dhe në javët e fundit numri i pacientëve që kanë nevojë për ventilatorë është duke rënë.
Sipas tij, më pak se 4% e të gjitha testeve dhe vetëm 0.2 % e testeve te pacientët asimptomatikë po rezultojnë pozitive, duke treguar se virusi është më pak i përhapur në komunitetet që shërben UPMC.
Ndërkohë, deklaratat e mjekëve vijnë në një kohë kur edhe kërkuesit në Itali deklaruan se pacientët po shfaqnin ngarkesë më të ulët virale në sistemin e tyre krahasuar me pacientët gjatë pikut të epidemisë.