Lajmi Fundit
LajmiFundit, Portal me Lajme nga Shqiperia

Pas rënies të Qeverisë Kurti pritet të ndodhë sot seanca e jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë Hoti

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, do t’i drejtohen serish ulëseve të tyre për të zgjedhur një qeveri të re pas rënies së asaj të Albin Kurtit, pas mocionit të mos besimit nga ana e partnerit të koalicionit qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

E kjo e fundit është ajo që pritet të udhëheqë vendin nëse merr 61 votat e nevojshme për qeverinë e koalicionit me AAK-në, Nismën, Listën Serbe dhe komunitetet tjera jo serbe. Derisa PDK-së në opozitë pritet t’i bashkëngjitet Lëvizja Vetëvendosje që udhëhoqi vendin për vetëm 51 ditë, duke u bërë kështu qeveria me mandat më të shkurtër në vend që nga zgjedhjet e para të 2001.

Qeveria Kurti, e cila u rrëzua më 25 mars, ishte rezultat i koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Qeverinë e udhëhequr nga Kurti e kanë mbështetur 66 deputetë, ndërsa ka pasur 10 abstenime dhe asnjë kundër. Para votimit, partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate e kanë lëshuar sallën e Kuvendit.
Pas votimit të Qeverisë së re të Kosovës dhe dhënies së betimit nga kryeministri dhe kabineti qeveritar, Albin Kurti tha se fillon një kapitull i ri për Kosovën.

Por, ky kapitull i ri nuk zgjati shumë dhe mori fund kur i pari i Qeverisë shkarkoi nga detyra ministrin e Brendshëm nga radhët e LDK-së Agim Veliu për shkak të deklarimit të tij pro shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, të propozuar nga presidenti Hashim Thaçi për shkak të pandemisë me koronavirus.
Kështu, partia e Isa Mustafës vendosi t’i jep fund ‘kurorëzimit’ me Lëvizjen Vetëvendosje, duke kërkuar formimin e një qeverie të re.

Lëvizja Vetëvendosje nuk dha asnjë emër në të pesë letrat e dërguara nga ana e presidentit Hashim Thaçi për emrin e mandatarit për të krijuar kështu edhe një mundësi që të formojë një qeveri të re si parti e parë fituese.
E gjithë kjo bëri që kreu i vendit pas pesë letrave të nxjerrë dekretin për emrin e mandatarit, të cilin ia dha LDK-së si parti e dytë në zgjedhje.
Dekreti i të parit të vendit u pa antikushtetues nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila e dërgoi në Kushtetuese duke pritur që të marrë një vendim pro kërkesës së saj.
Gjykata Kushtetuese, pasi fillimisht e pezulloi dekretin deri më 28 maj, në fund i dha të drejtën të presidentit Hashim Thaçi.
E gjithë kjo pritet të përfundojë në seancën e sotme të Kuvendit ku pritet të votohet Avdullah Hoti për kryeministër, të cilin pikërisht Albin Kurti e kishte shkarkuar pak orë pas votimit për rrëzimin e qeverisë së tij.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet