Lajmi Fundit
LajmiFundit, Portal me Lajme nga Shqiperia

Infarkti ose goditja në tru, meshkujt shqiptarë vdesin më shumë se femrat

Jeta sedentare, dieta e pakontrolluar dhe ekspozimi i lartë ndaj alkoolit dhe ndaj duhanit po i vret shqiptarët dhe më së shumti meshkujt që çdo vit e më shumë po humbasin jetën nga infarktet dhe goditjet në tru. Alarmante është ulja e moshës së vdekshmërisë nga kjo sëmundje për meshkujt nën moshën 50 vjeç.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se më 2019-n kanë humbur jetën nga sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut 32 persona në ditë. Në total 11,704 persona kanë humbur jetën nga zemra ose tensioni, ose 53% e totalit të vdekjeve natyrale.

Sipas INSTAT, janë rritur me 0.9% vdekjet nga sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut në 2019-n, në raport me një vit më parë. Rritja ka ardhur tërësisht nga meshkujt, humbjet e jetëve të së cilëve janë rritur me 3.2%.

Meshkujt përbëjnë dhe përqindjen më të lartë të humbjes së jetëve nga kjo sëmundje, me 51.5%, përkundjet 50% të grave. Për 1,000 banorë, grupi i sëmundjeve të “aparatit të qarkullimit të gjakut” është shkaku kryesor i vdekjeve si tek burrat dhe tek gratë me një nivel vdekshmërie 4.2 për burrat dhe 3.97 për gratë (për shkak të numrit më të lartë të grave në total, teksa 50.8% e popullsisë në total ishin femra në 2019-n).

Në vitin 2019 është konstatuar një rritje e lartë e vdekshmërisë nga zemra dhe tensioni në grupmoshën e meshkujve 45-49 vjeç (+17%) dhe 55-59 vjeç (+4.6%) 46% e vdekjeve të meshkujve nga kjo sëmundje ishin të grupmoshës nga 40-59 vjeç, kundrejt 43% që ishte një vit më parë.

Mjekët pohojnë se vdekjet më të larta tek meshkujt i atribuohen stilit te jetesës më së shumti. Doktor P. Malaj thotë se, meshkujt janë të ekspozuar më shumë ndaj pirjes së duhanit, alkoolit, dietës së pa kontrolluar dhe punëve të rënda që rëndojnë sëmundshmërinë dhe sidomos sëmundjet e qarkullimit të gjakut. Ai tha së sëmundjet e qarkullimit të gjakut gjithnjë e në rritje janë pasojë e një diete të pakontrolluar e shoqëruar me mungesë aktiviteti fizik.

Të dhënat më të fundit zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë mbi ndikimin e faktorëve të rrezikut të sëmundshmërisë në Shqipëri identifikojnë tre faktorë të rrezikut përgjegjës për pjesën dërrmuese të barrës së sëmundshmërisë, rreziqet e lidhura me dietën ushqimore, hipertensioni arterial, duhanpirja. Gjatë 20 viteve të fundit ka pasur rritje domethënëse në barrën e sëmundshmërisë, që u atribuohet karakteristikave të mënyrës së jetesës në Shqipëri, citon syri.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet