Lajmi Fundit
LajmiFundit, Portal me Lajme nga Shqiperia

Pandemia COVID-19, Sejko: Do të sjellë rritje të papunësisë

Tërmeti i 26 nëntorit, ka ulur ekonominë e vendit me 2.2%. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, ka deklaruar në Komisionin e Ekonomisë, se viti 2019, ka qenë tepër sfidues për shkak të efekteve negative të fatkeqësisë natyrore.

Edhe pse ka prezantuar raportin e 2019, Sejko u përqendrua edhe tek pandemia. Guvernatori e ka konsideruar realitet të ri ekonomik situatën që do të vij pas COVID-19. Guvernatori thotë se masat e marra për kontrollin e përhapjes së pandemisë ndikuan në rënien e konsumit, investimeve dhe eksporteve të mallrave dhe shërbimeve.

“Viti 2019 ishte një vit sfidues për ekonominë shqiptare. Mjedisi i huaj ekonomik u shfaq i pafavorshëm, i karakterizuar nga ngadalësimi i ritmeve të rritjes ekonomike, nga inflacioni i ulët, si dhe nga pasiguri të shtuara, si pasojë e forcimit të masave proteksioniste në tregjet botërore. Nga ana tjetër, ekonomia shqiptare vijoi të përfitojë nga rritja e konsumit privat, si dhe nga zgjerimi i eksportit të shërbimeve, kryesisht si pasojë e vijimit të trendit pozitiv të turizmit. Megjithatë, aktiviteti ekonomik në vend u ndikua negativisht nga rënia e fortë e prodhimit të energjisë elektrike, nga përfundimi gradual i investimeve në projektet madhore energjetike, si dhe nga tërmeti i muajit nëntor, i cili shkaktoi dëme dhe humbje të konsiderueshme ekonomike. Për rrjedhojë, rritja ekonomike e vitit 2019 rezultoi në nivelin 2.2%, në rënie kundrejt nivelit 4.1% të shënuar në vitin paraardhës”, tha Sejko.

Sipas tij në një moment të dytë pritet një rënie e nivelit të punësimit dhe rritje e papunësisë në vend, duke shkaktuar rënien e të ardhurave familjare dhe përkeqësimin e situatës financiare të biznesit, çka mund të sjellë dhe rritje të nivelit të kredive me probleme në sektorin bankar.

Sejko ka prezantuar në Komision raportin vjetor për vitin e kaluar, ku tha se numri i bankave u reduktua nga 16 që ishin në vitin 2018, në 12 për shkak të ristrukturimit bankar, po ashtu në vitin e kaluar treguesi i kredive me probleme sipas Sejkos ka pësuar rënie të ndjeshme, nga 25% në vitin 2014 në 8.4% në fund të vitit 2019.

Një tjetër arritje në vitin e kaluar është edhe futja në qarkullim pjesërisht e serisë së re të kartëmonedhave, ku Sejko deklaroi se brenda këtij viti do të hidhen në qarkullim prerjet 1000 dhe 10000 Lekë.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet