Goditet një tentativë për trafikim të lëndëve narkotike. Finalizohet operacioni i koduar “Gjadëri” ku u sekuestruan 95 kg kanabis, 3 automjete, 8 aparate celularë dhe 11000 euro. Vihen në pranga 4 persona.
Të arrestuarit janë, drejtuesi i makinës në të cilin u gjet lënda narkotike, K. D., 23 vjeç, banues në Shkodër, K. L., 28 vjeç, A. T., 32 vjeç, banues në Vlorë dhe K. T., 50 vjeç, banues në Shkodër, të cilët ndodheshin në dy mjetet që po kontrollonin rrugën.
Pas sinjalizimeve dhe informacioneve në rrugë operative, policia lokalizoi dhe bllokoi makinën tip “BMW”, me drejtues 23-vjeçarin. Gjatë kontrollit të mjetit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, në sediljen e pasme dhe në bagazh, 95 kg lëndë narkotike kanabis. “BMW”-ja që transportonte lëndën narkotike paraprihej nga 2 mjete të tjera, me qëllim vënien në dijeni në rast konstatimi të pikave të kontrollit nga ana e Policisë.
Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në të 3 mjetet u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 11.000 euro. Policia Lezhë nën drejtim e prokurorisë dhe në bashkëpunim me policinë e Vlorës dhe Shkodrës, po punon për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.