Lajmi Fundit
LajmiFundit, Portal me Lajme nga Shqiperia

Thaci, Isa Mustafa dhe Haradinaj reagojne per vendimin e Kushtetueses

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se ishte i bindur se dekreti i tij për mandatarin për formimin e qeverisë ishte kushtetues.

Presidenti Thaçi ka bërë thirrje që partitë politike të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Presidenti Thaçi ka thënë se duhet formim i shpejtë i qeverisë pasi sipas tij, Kosovën e presin shumë sfida.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë se dekreti i presidentit Hashim Thaçi, për ta mandatuar Avdullah Hotin për postin e kryeministrit, është në përputhje me Kushtetutën dhe se mocioni i mosbesimit ndaj në qeverie në kuvend nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit.

Ky vendim i Kushtetueses vjen pasi më 30 prill, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mandatoi Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për postin e kryeministrit të Kosovës.

Atëbotë, Thaçi tha se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, 2019, nuk e kishte shfrytëzuar mundësinë e saj kushtetuese për propozimin e mandatarit, kështu që këtë të drejtë ia kaloi LDK-së, partisë së dytë të dalë në zgjedhjet e tetorit.

Po të njëjtën ditë, Lëvizja Vetëvendosje iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar nga ky institucion vlerësim mbi kushtetutshmërinë e dekretit të Thaçit për Hotin.

Më 1 maj, Gjykata Kushtetuese pezulloi përkohësisht zbatimin e dekretit të Thaçit për qeverinë e re deri më 29 maj.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka bërë thirrje që partitë politike të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese përmes së cilit i dha të drejt presidentit Hashim Thaçi për dhënien e mandatit për formimin e qeverisë së re, Avdullah Hotit të LDK-së.

Sipas Mustafës, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dëshmon se shteti i Kosovës dhe drejtësia po funksionon.

“Vendimi i Gjykatë nuk i destinohet një partie dhe një grupi, por një zgjidhjeje kushtetuese e cila do të vlejë për të gjithë ne, tani dhe në të ardhmen. I takon qeverisë së ardhshme, të drejtuar nga LDK-ja që të mbajë peshën e demokracisë dhe të kësaj drejtësie të ndarë nga Gjykata Kushtetuese”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese rreth formimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Ai u shpreh se i mandatari për kryeministër, Avdullah Hoti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duket që sa më shpejtë të formojë ekzekutivin e ri.

“Në rrethanat e krijuara, çdo ditë e humbur ka kosto për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve. Kosova nuk ka kohë për të humbur”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Gjykata Kushtetuese vendosi që dekreti i presidentit, Hashim Thaçi për ta mandatar Avdullah Hotin për postin e kryeministrit është në përputhje me aktin më të lartë ligjor në vend.

Partia e Haradinajt, së bashku me Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt, Listën Serbe dhe partitë e komuniteteve joshumicë, kanë arritur marrëveshje me LDK-në për bashkëqeverisje.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet