Protesta të dhunshme në Mineapolis, arrestohet gjatë lidhjes direkte gazetari i CNN

Bota
Protesta të dhunshme në Mineapolis, arrestohet gjatë lidhjes
SHBA Gazetari i CNN, Omar Jimenez, është arrestuar nga policia gjatë një transmetimi direkt nga vendi ku po zhvilloheshin protesta në Mineapolis, SHBA. Gazetari u shoqërua në polici së bashku me kameramanin dhe producentin. Policët sekuestruan edhe kamerën e CNN, që vazhdoi të xhironte dhe të transmetonte “live” episodin e arrestimit. Policia ka thënë se trupa e CNN është arrestuar sepse nuk është larguar nga vendi pasi u është kërkuar një gjë e tillë. Vetëm pak orë më vonë nga arrestimi, gazetari Jimenez dhe e gjithë trupa prej katër vetash u liruan. Kujtojmë që prej dy ditësh qindra njerëz protestojnë rrugëve të Minneapolis, Minnesota, SHBA, për vdekjen e George Floyd, një njeri me ngjyrë, 46 vjeç, i cili ndërroi jetë duke kërkuar ndihmë, teksa një oficer policie e shtriu në tokë dhe i bllokoi frymëmarrjen duke i vendosur gjurin në qafë. Floyd u arrestua të hënën pas një telefonate ku thuhej se një burrë po përdorte një kartëmonedhe false 20 dollarëshe. Policët e gjetën Floyd brenda një makine dhe thanë se “rezistoi fizikisht” pasi doli nga automjeti, ndërkohë që në një tjetër video rezulton se 46-vjeçari nuk bëri rezistencë. Videot nga kalimtarët tregojnë se Floyd i prangosur qëndronte i shtrirë në tokë, teksa oficeri i vendoste gjurin në qafë. “Ju lutem, nuk marr dot frymë,” dëgjohet të thotë i ndjeri.

ME TE LEXUARAT