Lajmi Fundit
LajmiFundit, Portal me Lajme nga Shqiperia

Maqedonia e Veriut vihet në alarm, ka numrin më të lartë të vdekjeve nga koronavirusi në rajon

Maqedonia e Veriut është vendi më i prekur në rajon për sa i përket vdekjeve prej koronavirusit. Vendi ka bërë zbutjen e masave lidhur me koronavirusin në vend, ndërkohë që të prekur dhe viktima vazhdon të ketë. Vendi me rreth 2 milion banorë ka regjistruar 122 viktima deri tani, mbi 2 mijë të prekur, prej të cilëve mbi 470 raste aktive. Ekspertët e shpjegojnë këtë me testet e shumta që janë bërë, madje edhe tek personat e vdekur nga sëmundje të tjera, thotë drejtori i Qendrës së Shëndetit Publik, Arben Ziberi.

“Arsyeja kryesore pse tek ne vdekshmëria është më e lartë është se ne jemi ndoshta shteti i vetëm në rajon që kemi bërë teste edhe tek personat pas vdekjes së tyre. Janë rreth 30 raste që janë testuar pas vdekjes dhe arsyja nuk ka qenë koronavirusi por sëmundje të tjera. Mirëpo, është diagnostikuar edhe virusi COVID-19 tek ata, pas vdekjes. Asnjë shtet nuk bën teste për koronavirus pas vdekjes dhe nëse i heqim këto 30 raste, jemi aty diku, njejtë me vendet e rajonit”, thotë zoti Ziberi.

Doktor Ziberi thotë se janë vatra të kontrollueshme edhe përkundër shtimit të rasteve të reja; Ai thekson se është pritur që me zbutjen e masave të shtohet numri i të prekurve me COVID-19.

“Tani jemi në fazën e dytë të pandemisë, siç janë dhe shumë shtete të tjerë dhe pas një izolimi të plotë që kemi pasur dhe si shembull në qytetin e Shkupit të cilin ne si Qendër (e Shëndetit Publik) e menaxhojmë, deri sa i kishim masat shtrënguese në fuqi, më 5 maj nuk kemi regjistuar asnjë rast të me koronavirus.

Kjo sot nuk është kështu, me që vetëm sot kemi 24 raste të reja. Por, vlen të theksohet se situatën e kemi nën kontroll. Këto janë vatra të kontrollueshme dhe kanë të bëjnë me familje. Kemi raste në një familje me më shumë persona të prekur dhe nuk është i shpërndarë virusi siç ishte në fillim apo në pikun e pandemis,ë gjithandej”, shprehet Dr. Ziberi.

Ditëve të fundit janë regjistruar raste në komunat e Shkupit: Çair, Saraj dhe Butel dhe në Tetovë e rrethinë ku banojnë shqiptarë dhe këtë zoti Ziberi e ndërlidh me mbledhitë e njerëzve dhe familjeve gjatë Ramazanit.

Tre vdekjet e 24 orëve të fundit kanë ndodhur në Shkup dhe në Tetovë, ndërsa është regjistruar dhe viktima e parë në mesin e punonjësve shëndetësorë, një farmacist nga rrethi i Strugës. Sipas tij, çerdhet e fëmijëve mund të hapen nga mesi i qershorit, por me mjaft ndryshime dhe protokolle për të shmangur përhapjen e virusit.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet