Lajmi Fundit
LajmiFundit, Portal me Lajme nga Shqiperia

Mourinho zbulon prapaskenat e largimit nga Inter: Nuk thashe lamtumire!

“Kur fola herën e fundit me Materazin, pas finales së Madridit, ishte sikur përqafova të gjithë lojtarët, diçka që u përpoqa të mos e bëja. Ndodhesha pranë tyre në fushë gjatë celebrimeve, kur tërhoqëm medaljet dhe ngritëm kupën. Më pas nuk u riktheva në dhomat e zhveshjes, sepse nuk dëshiroja të thosha lamtumirë”.

Gjatë një interviste të lëshuar për “The Athletic”, Jose Mourinho është rikthyer mbi mënyrën e diskutuar gjatë të largimit të tij nga Interi, disa orë pasi drejtoi Militon me shokë drejt “Tripletës” legjendare. Zgjedhje që pavarësisht dhjetë vitesh distancë, Massimo Moratti, pavarësisht se me buzëqeshje, e ka cilësuar “diçka të tmerrshme”.

Kthimi në Milano – “Ishte shumë e vështirë për mua dhe nuk doja të nisesha drejt Milanos, sepse të gjithë thoshin se kisha një kontratë me Realin e Madridit. Nuk ishte e vërtetë”, ka shpjeguar portugezi. “Ekzistonte një akord, por jo një kontratë e firmosur.

Doja vërtet të shkoja te Reali në atë moment: pas kampionatit anglez dhe italian më mungonte ai spanjoll. Megjithatë, kisha frikë se nëse do të rikthehesha në Milano me skuadrën dhe me reagimin e lojtarëve e tifozëve, nuk do të arrija të largohesha. Mund të them se u ‘arratisa’. Pak ditë më pas, firmosa me Realin. Vetëm më vonë u ktheva në Milano dhe darkova me presidentin Moratti”.

Kampionë absolutë – Duke u rikthyer te grupi i “Tripletës”, Mou ka shtuar: “Ajo skuadër ishte e mbushur me kampionë absolutë, por askush prej tyre nuk mori mirënjohjen e duhur në nivel personal: e çuditshme që Eto gjatë karrierës së tij nuk ka arritur të fitojë ‘Topin e Artë’.

Po Snajider? Uez ishte fantastik atë sezon: fitoi gjithçka dhe luajti finalen e Kupës së Botës. Kur shkuam në eventin e ‘Topit të Artë’ 2010, djemtë nuk ndodheshin as mes tri vendeve të para. E vetmja gjë që arritëm të përfitonim ishte përfshirja në 11- shen më të mirë”.

Si roman – “Tripleta” ishte si një “kërcim i fundit”: “Ekzistojnë perspektiva të ndryshme për lojtarët kur i afrohen fundit të karrierës. Disa lojtarë duan vetëm të qëndrojnë në klub për vitet e mbetura të kontratës, për të marrë disa miliona më tepër përpara mbylljes. Disa të tjerë thonë: ‘Më lër të provoj diçka ndryshe që nuk kam bërë kurrë’. Mendoj se kjo e fundit ka qenë arsyeja e suksesit”. E sigurt është që historia e Mourinhos tek Interi ka qenë si roman: “Mund të shkruaj një libër prej 1000 faqesh mbi dy vitet e mia tek Interi. Ndoshta një ditë do ta bëj, por fillimisht duhet të kërkoj leje sepse ka shumë histori të mohuara”.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet