Lajmi Fundit
LajmiFundit, Portal me Lajme nga Shqiperia

Tre muaj në qelitë e policisë greke, Qytetari: “Edi Rama, na lerë të vijmë në atdhe!”

Është e vërtetë që Koronavirusi shkaktoi një përmbysje totale të jetës së gjithë njerëzimit. Sikurse gjithashtu është e vërtetë që kjo përmbysje u shoqërua nga probleme të mëdha në përditshmërinë e gjithësecilit.

Pasojat e masave anti Covid-19, shkatërruese për shqiptarët

Mirëpo, meqë kërraba tërheq gjithmonë nga vetja, nuk do të ekzagjeronim aspak po të thoshnim që, për mjaft prej shqiptarëve në Greqi efektet e Covid-19-s ishin dhe mbeten shkatërruese.

Gra që punonin si ndihmëse shtëpiake -dhe në shumë familje shqiptare punonin vetëm ato- mbetën për dy muaj pa punë.

Mijëra të tjerë që mund të punonin “në të zezë”, mbetën gjithashtu pa të ardhura gjatë këtyre dy muajve.

Një pjesë e konsiderueshme, që nuk kishin dokumenta, mbetën të mbyllur brenda katër mureve të shtëpisë, pasi nuk guxonin të dilnin për të shkuar as deri në supermarket e të blinin artikujt e domosdoshëm për jetesën.

Shtoju këtyre ata qindra e qindra që kishin ardhur me pasaportën biometrike (90 ditësh) e që si rrjedhojë e masave për Covid-in nuk mund të ktheheshin në Shqipëri e tashmë po përballen me gjoba të larta. (Kryeministri Rama deklaroi para disa ditësh qepalla greke i ka premtuar se do t’i rishikojë këto gjoba. Rama ka shtuar madje që një pjesë të këtyre gjobave, nëse nuk hiqen, do t’i paguajë shteti shqiptar. Mirëpo, edhe sikur ky premtim të jetë i vërtetë, të gjithë e dimë se sa zvarritje burokratike do të nevojiten për një rezultat, në kohën që këta njerëz i kanë kaq nevojë ato para që u shkuan dëm).

Mbi të gjitha, mbyllja për dy muaj rresht e qendrave të shërbimit të emigrantëve, ka krijuar një situatë me të vërtetë dramatike për lejet e qëndrimit.

Edhe pse qeveria greke ka dhënë shtyrje deri në 31 dhjetor, këto leje të shtyra janë të pavlefshme. Ja përse:

Së pari, me to nuk mund të udhëtosh as deri në Shqipëri.

Së dyti, nuk mund të regjistrohesh si i papunë.

Nuk mund të përfitosh kompensimet sociale.

Nëse të qesh fati e fillon një punë, nuk mund të regjistrohesh në EFKA (IKA), pse aty rezulton që leja e qëndrimit ka skaduar…

I kapën pa letra, 3 muaj në qelitë e policisë

Akoma më dramatike, gati në kufijtë e tragjikes, është gjendja për një numër të konsiderueshëm bashkatdhetarësh, që policia greke i ndaloi gjatë ditëve kulmore të masave anti Covid dhe i gjeti pa dokumenta e u hodhi prangat. Normalisht, pas vetëm pak ditësh qëndrimi në qeli, ata do të dërgoheshin në Shqipëri, siç ka ndodhur gjatë gjithë këtyre viteve.

Por tashmë gjërat ishin ndryshe. Pak masat kufizuese në Greqi, pak fakti që kufiri i shtetit amë ishte i mbyllur, atyre iu desh të qëndrojnë jashtëzakonisht gjatë në qelitë e policisë greke, dy e tre muaj.

Nga rajone të ndryshme policore në Athinë, nga Selaniku, nga Nafplio, na kanë telefonuar mjaft bashkatdhetarë, që po mbahen kaq gjatë, në kushte mjaft të këqija, siç na kanë thënë.

Gjoni nga Shkodra, ka tre muaj në që po mbahet i izoluar në rajonin e Syntgmas, bashkë me 20 shqiptarë të tjerë.

Prej pesë vjetësh punonte një një Fast-Food, po për fatin e tij të keq një ditë e ndaloi policia dhe i kërkoi dokumentat. Menjëherë i hodhën prangat dhe e çuan në qeli, në pritje të depërtimit.

Gjoni na thotë se janë 20 veta në një qeli, ushqimi është shumë i keq, po për fat, aty e vizitojnë shokë të tij me të cilët bënte shoqëri apo kishte punuar.

“pyesim policët se kur do të na çojnë në Shqipëri dhe na thonë që s’ju pranon Edi Rama”, na flet Gjoni përmes telefonit.

Dioni, nga Pogradeci, ka dy muaj në qeli. Jeton në Greqi me familjen e tij, por për fat të keq nuk iu rinovua leja e qëndrimit. Bëri një gjyq, por gjykata la në fuqi vendimin refuzues të periferisë.

Dhe më pas erdhi ndalesa nga policia dhe peripecitë e mbajtjes në qeli.

“Ushqimi është shumë i keq, gjithë javën, bizele, makarona dhe fasule. Në banjë shkojmë të shoqëruar nga polici. ndihemi sikur jemi kriminelë ordinerë”, dëgjohet plot ankim zëri matanë telefonit.

“E vetmja gjë që duam është të shkojmë në Shqipëri”, e mbyll ai bisedën e shkurtër.

Të njëjtat pak a shumë gjëra na kanë thënë edhe gjithë të tjerët që na kanë telefonuar.

Është me të vërtetë indinjuese indiferenca e shtetit shqiptar ndaj këtyre bashkatdhetarëve. Në kushtet kur kryeministri ka marrë përsipër ekskluzivisht menaxhimin e krizës së Covid-19-s dhe Shqipëria me të vërtetë ka rezultate të mira në këtë fushë-, është me të vërtetë indinjuese neglizhenca ndaj morisë së problemeve që qytetarëve shqiptarë-brenda dhe jashtë vendit- iu krijua pikërisht prej situatës së pandemisë.

Ndokush do të thotë se kryeministri nuk ka kohë dhe nge, pasi shpenzon thuajse gjithë ditën duke bashkëbiseduar në Facebook. Kryeministër është, çfarë t’i dojë kokrra e qejfit bën…

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet