107-vjeçarja nga Holanda, gruaja më e moshuar në botë që mposhti koronavirusin

Bota
107-vjeçarja nga Holanda, gruaja më e moshuar në botë

Cornelia Ras, rezidente në një qendër për të moshuarit në jug të Holandës u infektua gjatë një ceremonie fetare. Në këtë strehë humbën jetën 12 të moshuar dhe u prekën 41 persona.

Cornelia Ras nga Goeree-Overflakkee një zonë ishullore në jug te Holandës është personi më i moshuar që i ka mbijetuar pandemisë botërore. Ajo u prek nga koronavirusi një ditë pasi festoi ditëlindjen e saj të 107, në mes të muajit mars dhe sot është deklaruar zyrtarisht e shëruar. Lajmi është bërë i ditur për gazetën holandeze “AD”, nga nipi i saj, Maaike de Groot.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

E moshuara që është rezidente e një qendre që trajton pensionistë, u prek nga Covid-19 pas shpërthimit të një vatre infeksioni në këtë strehë, pasi një grup të moshuarish kishin marrë pjesë në një rit fetar. Për pasojë 12 prej tyre humbën jetën nga ky virus, ndërsa u infektuan 41 persona ndër të cilët edhe Cornelia. Gruaja shfaqi simptomat e para më 17 mars, temperaturë të lartë dhe kollë. Nisur nga numri i lartë i të prekurve me koronavirus në qendrën “Të rejat e Rijsenburgut”, asaj iu bë testi i tamponit ku rezultoi pozitive. Nipi i saj tha se e moshuara nuk ishte në gjendje të rëndë, por dyshimet i kishte se mund të ishte prekur nga sëmundja. “Ajo ruajti qetësinë dhe tha se sido që të shkonte situata e saj, gjithçka do të bëhej mirë”, u shpreh nipi.

Të hënën, mjeku i Cornelias telefonoi nipin dhe i dha lajmin e mirë. Pasi kishte folur me gjyshen e tij, nipi i tha gazetës se e moshuara ishte mire. Ajo po shijonte rrezet e diellit dhe ajrin e pastër në ballkon. Më tej ai tregon se që kur ishte 100 vjeçe, Cornelia jetonte vetëm në fermën e saj në Den Bommel. “Nuk e mendonim se do t’i mbijetonte kësaj sëmundje, vijon ai. Asnjëherë nuk ka dashur të përdorë medikamente, ecën ende shumë mirë dhe çdo mbrëmje ulet në gjunjë dhe lutet. E mesa duket do të vazhdojë ta bëjë këtë.”

Në Holandë ka bërë jehonë lajmi se janë shëruar nga koronavirusi edhe dy “shekullorë” të tjerë, njëri 101 vjeç dhe tjetri në moshën 103-vjeçare. Ndërsa në SHBA “rekordin” e mban Bill Lapschies, 104 vjeç. Në Itali janë katër më të moshuarit që e kanë fituar betejën me Covid-19; Lilla Grondona 102 vjeçe, Alberto Belluci 101 vjeç (më 7 prill), Ada Zanusso 104 vjeçe dhe Michelangelo Scutella 97 vjeç.

Në Holandë në të gjithë vendin janë 21 762 të prekur me koronavirus, 2 396 kanë humbur jetën dhe 250 pacientë janë shëruar.

ME TE LEXUARAT