OFL-ja nuk do ndalet, zbulohet raporti për rrëzimin e dekretit të Metës për anti-KÇK-në

Politikë
OFL-ja nuk do ndalet, zbulohet raporti për rrëzimin e dekretit të

Aksioni për goditjen e njerëzve të krimit, përmes bllokimit të pasurive, izolimin fizik dhe sanksionet ekonomike, do të rinisë sapo të përfundojë epidemia. Komisioni i Ligjeve ka miratuar sot një raport për rrëzimin e dekretit të Presidentit Ilir Meta, i cili ktheu për rishqyrtim në Kuvend aktin normativ të qeverisë kundër krimit, me pretendimin se akti normativ nuk ishte nxjerrë në kushtet e urgjencës, është në kundërshtim me Kushtetutën, shkel të drejtat dhe liritë e shtetasve etj. Përmes raportit, Komisioni i Ligjeve i kërkon Parlamentit rrëzimin e dekretit të Metës, për të lënë në fuqi aktin normativ pa asnjë ndryshim. Nëse Parlamenti do ta miratojë raportin në seancën e ardhshme, OFL-së do të hidhet në veprim menjëherë pas epidemisë.

Ndryshe nga Meta, Komisioni i Ligjeve thekson se veprimi i menjëhershëm nga ana e qeverisë shqiptare, përbën domosdoshmëri për të goditur organizatat dhe grupet e strukturuara kriminale, organizatat terroriste, bandat e armatosura, individët e përfshirë në krime të rënda, duke marrë në kohën e duhur të gjitha masat me natyrë parandaluese ndaj të gjitha aseteve, pasurive dhe të ardhurave nga aktivitete të paligjshme. Gjithashtu, në arsyetimin e Komisionit të Ligjeve, “akti normativ me fuqinë e ligjit nuk cënon të drejtat dhe liritë e shtetasve, përkundrazi, qëllimi i këtij akti lidhet me një interes madhor publik, që është rendi dhe siguria publike. Duke goditur korrupsionin, krimin e organizuar dhe veprat penale të rënda në bazën e tyre, që është paraja, kjo garanton suksesin e luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit, terrorizmit dhe veprave të rënda penale”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Meta ka pohuar se pjesëmarrja e Prokurorit të Përgjithshëm dhe drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme në Komitetin Kombëtar të Koordinimit për Parandalimin dhe Luftën kundër Krimit të Organizuar, nuk përputhet me funksionet kushtetuese dhe ligjore të tyre, por cenon pavarësinë dhe paanësinë e tyre në kryerjen e detyrës. Ndërkaq, Komisioni i Ligjeve vlerëson se ky argument është i pabazuar dhe nuk gjen justifikim juridik dhe Faktik, pasi Komiteti ka rol koordinues të veprimtarisë për hartimin, monitorimin, mbikëqyrjen dhe zbatimin e masave parandaluese, të parashikuara në këtë akt normativ, si dhe është krijuar për qëllim të shkëmbimit të informacionit e të forcimit të bashkëpunimit me autoritetet e huaja ligjzbatuese, gjatë kohës dhe për efekt të zbatimit të këtij akti normativ.

ME TE LEXUARAT