SHBA, shkarkohet kapiteni që kërkoi forcimin e masave ndaj Covid-19

Bota
SHBA, shkarkohet kapiteni që kërkoi forcimin e masave ndaj Covid-19

Marina amerikane shkarkoi të enjten nga detyra kapitenin e aeroplanmbajtëses “Theodore Roosevelt” , si ndëshkim për publikimin e një letre me kritika të ashpra që ai u dërgonte eprorëve të tij, në të cilën kërkonte masa më të forta për frenimin e përhapjes së koronavirusit në anije.

Shkarkimi i kapitenit Brett Crozier, që u raportua për herë të parë nga agjencia e lajmeve “Reuters”, u njoftua nga sekretari në detyrë i Marinës amerikane Thomas Modly, i cili tha se oficeri i lartë i anijes që funksionon me energji bërthamore me një ekuipazh prej 5 mijë anëtarësh kishte bërë një gjykim të dobët duke e shpërdarë letrën "gjerësisht".

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Largimi nga detyra i kapitenit, dy ditë pasi letra doli në media, ështëdëshmia sesi koronavirusi po sfidon të gjitha llojet e institucioneve amerikane, madje edhe ato të trajnuara për misione të rrezikshme e komplekse, si ushtria amerikane.

Shkarkimi i tij mund të ketë një efekt negativ duke krijuar shqetësim për të gjithë ata që shërbejnë në marinën amerikane e që duan të sjellin në vëmendje vështirësitë me të cilat përballen në një kohë kur Pentagoni nuk po publikon të dhëna të hollësishme në lidhje me infeksionet me koronavirus për të mos dëmtuar perceptimin mbi gatishmërinë e ushtrisë amerikane për reagim ndaj krizave ose konflikteve.

Sipas një raporti të javës së kaluar nga agjencia e lajmeve “Reuters”, ushtria amerikane nuk do të publikojë disa të dhëna mbi infeksionet brenda radhëve të saj.

Sekretari në detyrë i Marinës amerikane Modly tha se letra e kapitenit Crozier ishte dërguar përmes zinxhirit të komandës, por kapiteni nuk arriti të ruante konfidencialitetin.

Shkarkimi i kapitenit Crozier nxiti reagimin e demokratëve, përfshirë kandidatit për president Joe Biden. Ai tha se administrata e Presidentit Trump tregoi “aftësi të dobëta gjykimi” me shkarkimin e kapitenit Crozier, i cili po kërkonte masa më të forta për të frenuar përhapjen e koronavirusit në mesin e grupit të ushtarëve që ishin nën komandën e tij.

Edhe anëtari demokrat i komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura, Jack Reed kritikoi shkarkimin e kapitenit Crozier, duke thënë se ky incident “ngre pikëpyetje kritike rreth strategjisë së Marinës për të luftuar COVID-19 në bordin e anijeve dhe nëndetësve” amerikane.

Rreth 1.000 marinarë,një e pesta e ekuipazhit të anijes ku shërbente zoti Crozier, u larguan nga anija duke u vendosur në bazën e Marinës në ishullin e Guamit, një territor amerikan në Paqësorin Perëndimor. Ata po qëndrojnë në karantinë prej së mërkurës, një javë pas raportimit të rastit të parë me koronavirus në aeroplanmbajtëse.

Admirali John Menoni, komandanti më i lartë i Marinës u tha gazetarëve të enjten se 114 anëtarë të ekuipazhit të aeroplanmbajtëses kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Marinarët e evakuuar janë dërguar në hotelet e ishullit për një karantinë dy-javore, tha ai.

ME TE LEXUARAT