Lajmi Fundit
LajmiFundit, Portal me Lajme nga Shqiperia

Koranavirus, ‘përgjysmon’ rrogën e kabinetit qeveritar dhe administratës shtetërore! Po deputetët?

Për 3 muaj kryeministri Edi Rama, Zëvendëskryeministri Erion Braçe dhe ministrat e qeverisë do të marrin 50 % të pagës së tyre për shkak të gjendjes së krijuar nga koronavirusi.

Në këtë vendim përfshihen edhe nëpunësit e institucioneve të administratës shtetërore, të cilët janë anëtarë të këshillave, të bordeve apo të komisioneve të institucioneve të administratës shtetërore, të institucioneve publike të arsimit të lartë, të njësive të fondeve speciale, të ndërmarrjeve shtetërore dhe të shoqërive tregtare që do të marrin gjithashtu 50 % të pagës dhe nuk do të përfitojnë shpërblimin mujor përkatës.

Ky përgjysmim page bëhet në situatën kur vendi po përballet me koronavirusin dhe këto para do të përdoren në fondin anti-Covid që shteti ka përcaktuar për të fituar betejën me këtë armik të egër dhe të padukshëm.

Përjashtim nga vendimi, i publikuar në Fletoren Zyrtare dhe që hyn në fuqi menjëherë, për përgjysmimin e pagës bëjnë vetëm nëpunësit e institucioneve të administratës shtetërore të cilët janë anëtarë të këshillave, bordeve apo komisioneve të sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Ajo që vihet re është se paga e deputetëve nuk është prekur dhe nuk përmendet në këtë vendim qeverie. Ndërsa më herët Presidenti Ilir Meta deklaroi vetë se paga e tij, por edhe e zyrtarëve të Presidencës që janë solidarizuar më emergjencën do të shkurtohet sipas planit të bërë publik nga qeveria.

PËR TRAJTIMIN E PËRKOHSHËM FINANCIAR MUJOR TË DISA FUNKSIONARËVE DHE NËPUNËSVE TË ADMINISTRATËS SHTETËRORE,GJATË PERIUDHËS SË GJENDJES SË EPIDEMISËSËSHKAKTUAR NGA COVID-19

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”,me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Kryeministri, Zëvendëskryeministri dhe ministrat,gjatë periudhës së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19deri në përfundim të saj,por jo më shumë se tre muaj, përfitojnë pagë mujore neto në masën 50% të pagës mujore neto aktuale.

2. Nëpunësit e institucioneve të administratës shtetërore, të cilët janë anëtarë të këshillave, të bordeve apo të komisioneve të institucioneve të administratës shtetërore, të institucioneve publike të arsimit të lartë, të njësive të fondeve speciale, të ndërmarrjeve shtetërore dhe të shoqërive tregtare me kapital mbi 50%shtetëror, për periudhën nga data 1 prill 2020 deri në përfundim të gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19,por jo më shumë se tre muaj, nuk e përfitojnë shpërblimin mujor përkatës.

3. Përjashtohen nga zbatimi i pikës 2, të këtij vendimi, nëpunësit e institucioneve të administratës shtetërore të cilët janë anëtarë të këshillave, bordeve apo komisioneve të sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

4. Në kuptim të këtij vendimi, institucione të administratës shtetërore janë ato të përcaktuara sipas ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”.

5. Institucionet përkatëse,sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi, të derdhin shumat e papaguara në buxhetin e shtetit, në fondin anti COVID-19, të miratuar për vitin 2020, në bankën e nivelit të dytë Credins Bank, me numër llogarie në lekë nr.1348338,me IBAN: AL 152121 1016 0000 0000 0134 8338.

6. Ngarkohen Kryeministria, aparatet e ministrive, ndërmarrjet shtetërore dhe shoqëritë tregtare me kapital mbi 50% shtetëror si dhe institucionet e administratës shtetërore,të cilat,sipas legjislacionit të tyre specifik,kanë këshilla apo borde drejtuese me të drejtë pagese, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet