Lajmi Fundit
Lajmi i Fundit, Lajme Shqip minute pas minute nga vendi, Kosova, rajoni dhe bota, live 24

Riatdhesimi i shqiptarëve të bllokuar jashtë, ministrja Balluku: S’do ketë lista të reja

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka dhënë detaje se si po ecën procesi i riatdhesimit të shqiptarëve që ndodhen të bllokuar jashtë vendit, për shkak të mbylljes së kufijve nga situata e krijuar nga COVID-19. Në një lidhje skype Balluku theksoi se operacioni në fjalë nisi që ditën e shtunë, ndërsa vijon ende.

Teksa iu përgjigj edhe pyetjes në lidhje me fluksin e madh të kërkesave nga shqiptarët që duan të kthehen, ministrja bëri të qartë se listat janë mbyllur dhe se nuk do të ketë të reja. Ajo përsëriti edhe njëherë faktin se vendi ishte në luftë, përballë një armiku të padukshëm, ndërsa lëvizja me avionë do t’i rrezikonte të gjithë.

“Listat janë përpiluar me profesionalizëm. Ky nuk është riatdhesim masiv, por riatdhesim me disa filtra të rëndësishme.”, tha Balluku. Po ashtu, ministrja Balluku tregoi edhe disa nga kriteret mbi të cilat ishte bazuar hartimi i këtyre listave.

“Përparësi në këto lista janë studentët shqiptarë që studiojnë në vende europiane dhe jetojnë në kampuse dhe konvikte. Janë të parët që u kemi dhënë prioritet. Grupi tjetër janë raste humanitare, të gjithë ata që janë sëmurë dhe janë ndodhur në një spital të Italisë për të bërë një operacion. Rasti i tretë janë qytetarët shqiptarë, banues në Shqipëri, që janë ndodhur në qytetet europiane për vizitë. S’bëhet fjalë për një riatdhesim të të gjithë shqiptarëve që janë jashtë. Ne e kemi nisur këtë mision për shkak të kërkesave që kemi pasur. Ato na kanë nxitur pë të marrë këtë vendim. Qoftë për stafet fluturuese, për pilotët, për vet pasagjerët, është proces me risk. Kemi marrë masat për të ulur këtë risk. 130 persona në kabinë nuk është gjë e mirë, as për pasagjer, as për pilotët. Shqipëria ka arritur të zbatojë me përpikëri rregullat e Ministrisë së Shëndetësisë. Rastet e kategorisë së tretë mund të jenë të larta, por janë raste që kanë arsye të fortë për t’u rikthyer. Nëse një person ndodhet në shtëpinë e fëmijë të vet në Itali, do ishte më mirë që të rrinte atje. I referohemi atyre rasteve emergjente. Sot flasim në kushtet e një lufte, kundër një armiku të padukshëm. S’kemi lënë askënd në rrugë, që të pres që të vijë familjari. I kemi shoqëruar të gjithë në banesa.”, tha ministrja.

Po ashtu ajo nënvizoi faktin se të gjithë personat që riatdhesohen, vetëizolohen në banesat e tyre, ndërsa theksoi faktin se deri më tani nuk ka rezultuar asnjë të kthyerve me shenja të COVID. Ministrja tha se këtyre personave iu sigurohet dhe transporti për t’u kthyer në banesat e tyre.

“Deri më tani nga rezultate të ka nxjerrë MSH përmes Inspektoratit Shëndetësor të dislokuar në Rinas, asnjë prej pasagjerëve që ka ardhur deri më sot, s’ka shfaqur rast të shenjave të infeksionit COVID. Ne kemi marrë masat që këta pasagjerë të karantinohen në banesat e tyre. Ky është një proces, dhe listat janë të mbyllura sa i takon emrave. Ka raste që nuk vinë as sa është numri. Kjo dhe për shkak të vështirësisë për të ardhur në aeroport. Nuk ka aplikime të reja. Nuk duhet të vazhdojnë të marrin më në ambasada, pasi nuk ka aplikime të reja. Pasi nuk është gjë e mirë që të lëvizin qytetarët. Transporti ndërkombëtar i mallrave ka vijuar. Çdo problematikë e kemi zgjidhur. Transporti i mallrave është transport jetik. Pas dy marrëveshjeve, janë krijuar korridoret e gjelbërta.”, përfundoi ministrja.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet