Lajmi Fundit
LajmiFundit, Portal me Lajme nga Shqiperia

COVID-19 zbret të ardhurat me 16 mln euro, Ministria e Financave: Do dëmtohet ndjeshëm turizmi

Mbyllja e bizneseve dhe shtyrja e disa afateve për shlyerjen e detyrimeve do të dëmtojë ndjeshëm të ardhurat e këtij viti.

Faza e parë e izolimit të vendit dhe e mbylljes së shumë aktiviteteve ekonomike pritet të reduktojë të ardhurat me mbi 16 milionë euro.

Sipas analizave paraprake të bëra nga Ministria e Financave gjatë hartimit të aktit normativ të parë për ndryshimin e buxhetit për të alokuar fondet për emergjencën e krijuar nga COVID-19, thuhet se krahas mbylljes dhe reduktimit të veprimtarive prodhuese, të ardhurat tatimore do të impaktohen në ulje edhe nga shtyrja e afateve ligjore të deklarimit të një sërë detyrimeve.

Për pasojë, është parashikuar që impakti negativ në të ardhura do të jetë 20 miliardë lekë krahasuar me buxhetin fillestar 2020, reduktim ky që do të prekë të gjitha zërat e të ardhurave tatimore, e kryesisht ato të ardhura nga TVSH-ja.

Mirëpo kjo është vetëm faza e parë pasi sipas edhe vetë Ministrisë së Financave parashikimet për impaktin negativ të COVID-19 në ekonomi, deri më tani, janë të paqarta.

16 milionë euro është vetëm dëmi që pritet të shkaktohet nga të hyrat tatimore në buxhet por që pritet që impaktin më të lartë negativ ta kenë aktivitetet ekonomike që lidhen me sektorët e turizmit, të transportit, dhe të tregtisë.

I vetmi sektor i cili nuk pritet të dëmtohet shumë është sektori i bujqësisë, kryesisht për shkak të efektit të zëvendësimit të mallrave të importit me ato të prodhuara në vend.

Me uljen e pritshmërive për realizimin e të ardhurave me minus 20 miliardë lekë edhe rritja ekonomike parashikohet të zbres në 2%.

Ndërkohë me rritjen e deficitit buxhetor për të përballuar situatën rritet edhe borxhi publik që sipas aktit normativ këtë vit do të arrij në 68.8% e PBB-së, nga 65.4% të PBB-së që pritej sipas buxhetit fillestar.

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet