Lajmi Fundit
LajmiFundit, Portal me Lajme nga Shqiperia

Tre serbë dënohen me burgim për shkelje të vetizolimit

Tre qytetarë në Serbi janë dënuar me burgim për shkelje të urdhrit për vetizolim, i cili synon të ngadalësojë përhapjen e koronavirusit.

Dënimet nga dy deri në tre vjet burgim u shqiptuan gjatë video-seancave gjyqësore.

Seancat u zhvilluan në distancë për të mbrojtur punonjësit dhe të pandehurit nga ekspozimi i mundshëm ndaj koronavirusit.

Njëri nga të pandehurit u dënua me maksimumin prej tre vjetësh burgim në qytetin Dimitrovgrad, ndërsa dy të tjerë me nga dy vjet, përkatësisht dy vjet e gjysmë, në qytetin e Pozharevcit, shkruan Rel.

“Duke shkelur vetizolimin, ata kanë krijuar rrezik për shëndetin e njeriut”, tha Dragana Jevremoviq-Todoroviq, gjykatëse dhe zëdhënëse e gjykatës në Pozharevc.

Serbia ka regjistruar 528 raste të të infektuarve me koronavirus dhe tetë vdekje.

Masat kufizuese, të ndërmarra nga autoritetet atje, përfshijnë ndalimin e lëvizjes jashtë të njerëzve mbi 65 vjeç dhe orën policore gjatë natës.

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet