Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Koronavirusi, identifikohen 100 persona që hynë nga Italia dhe nuk u vetizoluan për 14 ditë

Të paktën 100 persona janë identifikuar gjatë kontrolleve të policisë së Shtetit të cilët kishin hyrë në vendin tonë ditët e fundit nga Italia dhe vende të tjera të prekura nga koronavirusi dhe nuk ishin vetizoluar.

Policia e Shtetit prej orëve të pasdites së djeshme ka dalë në terren e pajisur me maska dhe me disa blloqe me emrat e personave që kanë hyrë në Shqipëri dy javët e fundit.

Sipas policisë personat në fjalë janë gjetur në Tiranë, Durrës, Fier dhe në Shkodër në makina dhe kafene. Ata janë shoqëruar nga policia në shtëpi dhe janë këshilluar që të mos dalin.

Kryeministri Edi Rama tha ditën e djeshme se këto kontrolle do të vijojnë, madje ai shtoi se kushdo që nuk do të bindet do të marrë një gjobë prej 5 mijë eurosh.

Ndërsa Kreu i Policisë së Shtetit Ardi Veliu është shprehur se duhen ndaluar të gjitha automjetet me targa të huaja në mënyrë që të bëhet kontrolli i tyre se kur kanë hyrë në Shqipëri

‘Normalisht makinat duhet të kontrollohen të gjitha pa përjashtim dhe nëse konstatoni shtetas që 15 ditëshin e fundit kanë ardhur sidomos nga Italia, duhet t’i bëjmë të qartë se duhet të vetëkarantinohen dhe duhet të shkëmbeni numrin e telefonit dhe të telefonojnë te 127 për çdo problematikë. Makinat duhet të ndalohen të gjitha pa përjashtim, jo me përzgjedhje. Kjo punë do vazhdojë sot deri në 12 dhe nesër do të rinisë sërish në 5:30 të mëngjesit. Nesër do të sjellim dhe tabletat që do të keni të gjitha të dhënat. Grupet e FNSH për rastet e rezistencës‘, tha Veliu.

Ndërsa shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Bardhyl Kollçaku tha se dalja e ushtrisë në do të jetë në mbështetje të Policisë së Shtetit për të kontrolluar apo sensibilizuar qytetarët.

“Detyrat e FA-ve në këto moment janë që të jenë në mbështetje të policisë së shtetit për të kontrolluar, sensibilizuar qytetarët, kryesisht ata që kanë udhëtuar në Itali e Greqi për t’i detyruar të vetëkarantinohen. Do të vazhdojnë për aq kohë sa është e nevojshme. Planet tona janë fleksibël. Aktualisht shtrihen dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, ka një plan të detajuar”, tha Kollçaku.

Që prej orëve të pasdites së djeshme, forca policore speciale të FNSH-së, Patrullat e Përgjithshme dhe Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, në bashkëpunim me patrulla ushtarake, kanë ngritur rreth 70 pika kontrolli në 8 qytetet kryesore dhe ato me risk të shtuar, për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Patrullat, të stacionuara apo të lëvizshme po vijojnë të kontrollojnë drejtuesit e mjeteve apo pasagjerët që ditët e fundit kanë udhëtuar në vendet e prekura gjerësisht nga Coronavirus.

Për këta qytetarë parashikohet të vetëkarantinohen deri në 14 ditë, në të kundërt Policia do t’i gjobisë.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet