Bujar Nishani për Nexhmije Hoxhën: Vejusha e zezë u largua pa dhënë llogari për krimet

Politikë
Bujar Nishani për Nexhmije Hoxhën: Vejusha e zezë u largua pa

Ish-presidenti Bujar Nishani shprehet se të mërkurën pati tre reagime për vdekjen e Nexhmije Hoxhës.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Përmes një postimi në “Facebook”, Nishani e cilëson Nexhmijen si një nga autoret kryesore të krimeve monstruoze të kryera nga regjimi diktatorial mbi shqiptarët për gati 50 vite, që nga pushkatimet e deri tek makabritetet e padëgjuara.

Reagimet e njerëzve lidhur me ndarjen nga jeta të Nexhmije Hoxhës, sipas Nishanit, ndahen në tre kategori: nostalgjikët e diktaturës; ata që mendojnë se u largua pa u penduar për krimet gjatë komunizmit dhe e treta që Hoxha iku pa dhënë llogari para ligjit për krimet e rënda. Me reagimin e fundit dakordësohet edhe vetë Bujar Nishani.

Sa i përket qëndrimit të dytë, Nishani përgjigjet se vejusha e ish-diktatorit ishte një kriminele dhe nuk do të pendohej për sa kohë ishte pjesë e ekzekutimeve të elitës së vendit.

“Në këtë diskurs, u prezantuan 3 (tre) reagime. I pari, që nuk meriton asnjë kushtim, ai i nostalgjikëve të mbetur të diktaturës që në fakt kanë qenë mjetet dhe veglat zbatuese të krimeve. Ata vijuan të glorifikonin “shërbimet ndaj popullit, atdheut dhe komunizmit prej vejushës dhe modelit të saj. I dyti, me të cilin nuk pajtohem dhe duhet denoncuar si kriptonostalgjik, me qëndrimin se ; “vejusha e zezë iku pa u “penduar” për krimet e bëra” !!!! Po si mund të pendohet një kriminele e atyre përmasave, kur çdo krim e kishte të planifikuar politikisht, të llogaritur në përfitim, të paracaktuar në protokoll, të shijuar në koshiencë? Si mundet të pendohet një kriminele e cila ishte pjesë e ekzekutimeve të elitës së vendit me akuzat falso për bashkëpunim me fashizmin kur vetë e nisi karrierën politike si një anëtare e partisë fashiste e mandej kapërceu tek simotra e fashistes, partia komuniste? Qëndrimi i tretë, me të cilin pajtohem plotësisht e që duhet mbajtur deri në fund, kryesisht e prezantuar nga më të persekutuarit e diktaturës, ish të përndjekurit politik, se zonja e zezë u largua përfundimisht pa dhënë llogari para ligjit për krimet e kryera.”

Bujari Nishani e konsideroi një dështim për shoqërinë shqiptare faktin që Nexhmije Hoxha nuk dha llogari për krimet e kryera, ndërsa shtoi se duhet të jetë edhe një mësim i hidhur.

“Përveçse ky fakt është një dështim për të gjithë shoqërinë tonë, ky duhet të jetë një mësim i hidhur me atë që përbën korelacionin e krimeve të saja me ato që shënuam më lart si krimet e rilindsve në shekullin e 21-të. Historia që pranohet nga të gjithë si mësuesi më i mirë dhe prova më kokëforte, na tregoi edhe këtë herë se kur krimet nuk ndëshkohen, kur kriminelët mbartës të tyre nuk mbahen përgjegjës, kur modelet dhe monstrat e së keqes nuk shkatërrohen, e keqja, e liga, shkatërrimi, degradimi rilind përsëri. Kjo ishte fabula më domethënëse e fundit mortor të vejushës së zezë.”

ME TE LEXUARAT