Lajmi Fundit
Lajmi i Fundit, Lajme Shqip, Gazeta Online, balkan, lajme live 24

Albin Kurti, procedurë për shkarkimin e Thaçit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrese zyrtare e ka informuar kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me implikimet kushtetuese të shkëmbimit të letrave të datës 19 prill 2013, ndërmjet kryeministrit të atëhershëm dhe presidentit aktual, Hashim Thaçi dhe sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, z. Anders Fogh Rasmussen. Mes tjerash, Kurti ngre edhe çështjen e shkarkimit të presidentit Hashim Thaçi, nëse konstatohet se ai ka bërë shkelje të Kushtetutës së Kosovës.

“Përmes kësaj marrëveshje kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar”

Kryeministri Kurti, në shkresën dërguar Osmanit, shkruan se i ka kërkuar stafit të Zyrës së tij që të analizojë përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje sekrete, si dhe implikimet e saj kushtetuese, përkatësisht në lidhje me kërkesat kushtetuese të përcaktuara me nenin 20 [Bartja e sovranitetit], nenin 18 [Ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare] dhe nenin 91 [Shkarkimi i presidentit].

“Qëllimi i kësaj shkrese është që t’ju njoftoj juve, në cilësinë tuaj si kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për ekzistencën e marrëveshjes sekrete, si dhe për rezultatet e analizës së Zyrës së Kryeministrit. Unë, si kryeministër, nuk shpreh asnjë qëndrim për ose kundër marrëveshjes sekrete, për sa i përket përmbajtjes së saj”

Ai thotë se e kupton dhe vlerëson “thellësisht rëndësinë e jashtëzakonshme të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe NATO-s për sigurimin e plotë të integritetit territorial të Republikës dhe të qytetarëve të saj”. “Dhe unë, si kryeministër, i garantoj Kuvendit, si dhe të gjithë qytetarëve të Republikës se nuk do të ndërmarr asnjë hap që do të rrezikonte këtë aleancë të domosdoshme për sigurinë e vendit tonë”, thuhet në shkresën e kryeministrit Kurti. Kjo shkresë i është dërguar presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe kryeprokurorit të shtetit të Republikës së Kosovës, Aleksandër Lumezi.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Leave A Reply

Your email address will not be published.