Lajmi Fundit
LajmiFundit, Portal me Lajme nga Shqiperia

OFL i nisi formularin Ervis Martinajt, avokati: Do t’i pergjigjet, por…

Forca e Ligjit u është drejtuar dje me shkresë për deklarimin e burimit të pasurive, Ervis Martinajt dhe dy vëllezërve biznesmenë, Valentino e Arben Kaçorri.

 

 

 

Sipas OFL, këta persona janë subjekt i aktit normativ për vetëdeklarimin e pasurisë pasi: Ervis Martinaj, me banim në Kurbin, është person në hetim për veprën penale “Vrasja me paramendim”; Arben Kaçorri, me banim në Tiranë, është i dënuar në Itali për vrasje; Valentino Kaçorri, me banim në Tiranë, është i dënuar në Itali për vrasje dhe trafik armësh.

 

“Brenda 48 orësh, këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. Me qëllim evidentimin dhe dërgimin në SPAK, të të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special, OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse”, tha dje zëdhënësja e OFL gjatë deklaratës së radhës.

 

ERVIS MARTINAJ

 

Me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme, më 5 maj të vitit të kaluar, Gjykata e Tiranës ka vendosur të zbusë masën e sigurisë për Ervis Martinajn. Në vendim, gjyqtari Artan Gjermeni argumenton se caktimi i masës së sigurisë “Arrest në burg” për Martinajn është i mbështetur vetëm në një provë, që deri më tani nuk është mbështetur me prova të tjera.

 

“Organi i akuzës e ka bazuar kërkesën për caktimin e masës së sigurimit, në një provë të vetme, që janë smstë e shkëmbyera midis personit nën hetim, Ervis Martinaj, me komunikuesin tjetër të regjistruar me emrin ‘Aldo’, ku Ervis Martinaj shkruan: ‘Lidhu me cun… Afroh… Me arm’, por me kalimin e një kohe të arsyeshme, një provë e vetme e palidhur dhe shoqëruar me prova të tjera nuk mund të përbëjë ‘arsye të mjaftueshme’ për vazhdimin e masës së paraburgimit, në kushtet kur edhe kjo provë e vetme nuk i përgjigjet më veprës penale, për të cilën është regjistruar procedimi e është caktuar masa e paraburgimit”, shkruhet në vendim.

 

Më tej, gjyqtari argumenton se nga rezultatet e aktekspertimeve për faktorët plotësues të qitjes ka rezultuar se nuk janë evidentuar mbetje të këtyre faktorëve në duart apo veshjet e 36-vjeçarit.

 

“Në kushtet kur referuar përfundimeve të aktekspertimit balistik dhe faktorëve plotësues të qitjes, të marra nga duart, fytyra dhe teshat e personit nën hetim Ervis Martinaj nuk janë evidentuar nitrite dhe nitrate, të cilat ndodhen edhe te mbetjet e qitjes me armë zjarri apo faktorë dhe elemente të tjera kimike, të cilat janë pjesë e mbetjeve të qitjes me prejardhje nga armët e zjarrit, si dhe deklarimeve të personave të tjerë të pranishëm në vendngjarje, ku asnjë prej këtyre personave nuk evidenton në asnjë moment personin në hetim Ervis Martinaj, si pjesëmarrës direkt apo indirekt në konfliktin e ndodhur brenda ambienteve të subjektit ‘Monopol’ ku u zhvillua ngjarja. Gjykata çmon se dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova është i ‘zbehtë’ për sa i përket veprës penale të ‘Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese’ në bashkëpunim, mbetur në tentativë (neni 79 shkronja ‘dh’ dhe 25 e 22 i K. Penal).

 

Dhe se në gjendjen që janë provat, veprimet e personit nën hetim Ervis Martinaj, kualifikohen në fazën përgatitore të veprës penale, për të cilën është regjistruar procedimi dhe jo në atë të tentativës, sikurse pretendon organi i akuzës”, argumentohet më tej.

 

loading...

Rekomandojme

PASTRIMI I PARAVE

 

Pas arrestimit për vrasjen e ndodhur në zonën e ishBllokut, më 4 tetor të vitit 2018, Ervis Martinaj u hetua edhe për pastrim parash. Prokuroria argumentonte në atë kohë se:

 

“Nga aktet e procedimit penal deri në këtë moment procedural, rezulton se shtetasi Ervis Martinaj prej vitit 2009 dhe në vijim ka blerë pasuri në vlera të konsiderueshme. Mënyra e shlyerjes është CASH, burimi i të ardhurave është i papërcaktuar dhe nuk mund të justifikohet me burimet e ligjshme që ka ky shtetas. Po kështu, ai rezulton se zotëron disa shoqëri tregtare, të cilat janë të gjitha pasive dhe nuk ushtrojnë aktivitet”.

 

Avokati i Martinajt: S’është subjekt i ligjit, por do t’i përgjigjet

 

Avokati i Ervis Martinajt e ka quajtur “nul”, kërkesën e OFL për klientin e tij. Sipas tij, Martinaj në asnjë moment nuk është subjekt i aktit normativ, pasi nuk është i dënuar qoftë brenda territorit të Shqipërisë, por edhe jashtë vendit për veprat penale që ky akt normativ, ka targetin për të vepruar juridikisht.

 

Mirash Martini thotë se nisur nga kushtet kur Martinaj nuk është i dënuar për veprat që parashikon akti normativ, çdo veprim i mëtejshëm, qoftë policor, por edhe bllokim të aseteve kapitale dhe financiare nga Policia, është qartazi “Nul”.

 

“Ervis Martinaj nuk është subjekt i aktit normativ nr. 1 të Kryeministrit, datë 31 janar të vitit 2020, pasi ai nuk është i dënuar dhe as në hetim për asnjë nga veprat penale të parashikuara në nenin 5 të këtij Akti”, shprehet avokati Martini për “Report Tv”.

 

Ndërsa më tej, Mirash Martini shprehet se ai do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës, edhe pse nuk është subjekt.

 

“Bazuar në vendimet gjyqësore që kanë shqyrtuar kërkesat e Prokurorisë, rezulton se në veprimet tij, nuk as dyshime se ai ka kryer veprën penale të vrasjes e aq më pak këtë vepër ta ketë kryer me paramendim. Megjithatë, edhe pse nuk është subjekt i këtij akti normativ, sërish Martinaj do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës, duke dorëzuar dokumentin për justifikimin e pasurisë së tij,” thotë avokati i Martinajt./PANORAMA.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet