A mund ta shperndaje Presidenti parlamentin? Ulsi Manja: Absurde, do ishte atentat ndaj Kushtetutes

Politikë
A mund ta shperndaje Presidenti parlamentin? Ulsi Manja: Absurde, do ishte

Në një prononcim për mediat nga qyteti i Korçës kreu i Komisionit të ligjeve, deputeti socialist Ulsi Manja ka komentuar deklaratën e djeshme të presidentit të Republikës Ilir Meta.

Lidhur me paralajmërimin e Metës se nuk do t’i dekretojë ndryshimet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, Manja tha se Presidenti me një deklaratë të tillë kërkoi të eklipsonte një konferencë të jashtëzakonshme për shqiptarët duke iu referuar konferencës së donatorëve. Ai theksoi se nëse Presidenti ia kthen sërish Kuvendit, kuvendi do e rrëzojë dekretin.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Manja tha se Presidenti duhet t’i referohet nenit 1 të Kushtetutës së Shqipërisë se Shqipëria është Republike Parlamentare. I pyetur nëse mund ta shpërndajë Presidenti parlamentin, Manja tha se është absurde dhe ta mendosh dhe se do ishte një shkelje e rëndë.

Presidenti ka paralajmëruar se nuk do t’i dekretojë ndryshimet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese në lidhje me betimin e gjyqtarëve, çfarë do të bëjë mazhoranca?

Në fakt unë jam njohur dje me deklaratën e presidentit të Republikës dhe më erdhi keq që presidenti zgjodhi të bëjë një deklaratë të tillë në një ditë shumë të rëndësishme për shqiptarët. Dje ishte konferenca e donatorëve ku Shqipëria mori mbështetjen e miqve dhe partnerëve lidhur me fatkeqësinë natyrore të datës 26 nëntor dhe nuk më erdhi mirë që presidenti me një deklaratë të tillë në Tiranë kërkoi të eklipsonte një konferencë të jashtëzakonshme për shqiptarët dhe unë gjej rastin të falënderoj donatorët dhe kryeministrin.

Për presidentin e kam të qartë përgjigjen, kjo mazhorancë do të zbatojë kushtetutën, ligjet e vendit dhe rregulloren e kuvendit.

Nëse presidenti në vazhdën e shumë ligjeve që nuk i dekreton dhe ia kthen përsëri kuvendit, kuvendi do të rrëzojë dekretin e presidentit.

Presidenti theksoi se ju nuk pritet as mendimin e Komisionit të Venecias, para se të ndryshonit ligjin, pse morët këtë vendim?

Presidenti me qëllim ose jo nuk iu referua dje se kur është depozituar nisma në kuvendin e Shqipërisë.

Nisma për ndryshime në ligjin e Gjykatës Kushtetuese është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë më 6 dhjetor të vitit 2019, kuvendi u shpërnda në 18 dhjetor të vitit 2019 sepse u mbyll sesioni i vjeshtës dhe rifilloi punën sipas rregullores së Kuvendit më 20 janar dhe projektligji që ne miratuam në kuvendin e Shqipërisë, kaloi në të gjitha filtrat dhe procedurat parlamentare dhe ishte një ndryshim normal, ishte një mekanizëm për zhbllokimin e një situate konfliktuale siç është rasti i betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Absolutisht nuk ka lidhje me vizitën e Komisionit të Venecias, këtë e trajtuam dhe me takimin e komisionit të Venecias, ishte një koincidencë e rastit sepse nisma kishte mbi dy muaj që ishte në Kuvendin e Shqipërisë, presidenti qëllimisht i ngatërron këto gjëra.

Nuk ia mohon kushtetuta të drejtën e dekreteve presidentit edhe në rastin e ligjit për Gjykatën Kushtetuese presidenti është i lirë të ushtrojë atributin e vet kushtetues, ta dekretojë ose jo por nuk ia lidh dot duart parlamentit në një republike parlamentare për të miratuar ato ligje për të cilat është votuar parlamenti.

Presidenti mund të këtë parasysh shumë gjëra por duhet t’i referohet nenit 1 të Kushtetutës së Shqipërisë. Shqipëria është Republike Parlamentare.

Presidenti është një institucion kushtetues që buron nga Kuvendi i Shqipërisë dhe është i detyruar si çdo institucion tjetër t’i bindet kushtetutës dhe ligjeve të vendit.

Presidenti do të duhet t’i kthehet pozicionit të tij kushtetues, simbol i unitetit të kombit dhe unë mendoj se Ilir Meta si president me këto trajektore dhe sjellje politike që ka pasur në vijimësi që në janarin e vitit 2019 dhe me anulimin e zgjedhjeve vendore por dhe me rasti e fundit që ka të bëjë me gjykatën kushtetuese unë mendoj e presidenti e ka humbur rolin e tij si simbol i unitetit të kombit.

Ilir Meta sot është opozita e vendit, me sjelljen e vet politike po luan rolin e opozitës.

Ne si mazhorancë për sa kohë do të jetë në atë funksion do e respektojmë si president i vendit por kjo nuk do të thotë që kuvendi mos analizojë dhe të trajtojë sjelljen e presidenti të republikës shkeljen e kushtetutës.

Nëse presidenti ka probleme të natyrës kushtetuese si çdo institucion, është i lirë t’i drejtohet gjykatës kushtetuese.

Po shkojmë drejt shkarkimit te presidentit. A mund të bëjë presidenti një gjë të tillë, të shpërndajë parlamentin?

Presidenti është në një procedurë shkarkimi në Kuvendin e Shqipërisë, është brenda afateve që ka përcaktuar kuvendi.

Lidhur me shpërndarjen e parlamentit nga ana e presidentit, edhe në këtë rast kushtetuta e ka bërë të qartë se në cilat raste shpërndahet parlamenti, është diçka absurde ta mendosh. Besoj do të ishte shkelja më e rëndë, atentati më i rëndë që mund t’i bëhet Kushtetutës së vendit.

ME TE LEXUARAT