Lajmi Fundit
Lajmi i Fundit, Lajme Shqip, Gazeta, Informacione nga Shqiperia

Lleshaj nga Vlora: Njesia e re Antikorrupsion do te adresoje krimin ekonomik dhe korrupsionin

Vlorë – Prononcimi i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj për mediat, pas analizës vjetore të Prefekturës së Qarkut:

Pyetje: Është folur për ngritjen e një tjetër Njësie Antikorrupsion. Por për t’u formalizuar ajo, KM Rama është shprehur se do të konsultohet me ekspertë ndërkombëtarë, veçanërisht me ata izraelitë. Çfarë do të jetë kjo Njësi e re, ndryshe nga të tjerat që janë krijuar deri tani dhe kur pritet të formalizohet?

Ministri Lleshaj: Njësia është në krijim e sipër, nuk mund të them sesi do të jetë trajta përfundimtare e saj, por bëhet fjalë për krijimin e një strukture, e cila do të adresojë me theks të veçantë krimin ekonomik dhe korrupsionin, dy fusha të cilat meritojnë qasje të re. Vetëm kaq mund të them sot.

Pyetje: Cili do të jetë ndryshimi nga Anti-KÇK-ja e të tjera? A nuk duket se do të jenë në një vijë lineare të tëra?

Ministri Lleshaj: Kur të formalizohet do të dini detajet.

Pyetja: Anti-KÇK-ja, a do të shtrihet edhe në Vlorë, dmth a ka indicie?

Ministri Lleshaj: Lufta kundër krimit nuk ka kufizime gjeografike, ajo do të shtrihet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Pyetje: Si është situata në Vlorë, e rendit, qetësisë, kriminalitetit?

Ministri Lleshaj: Atë besoj e dini ju më mirë se unë.

Pyetje: Flitet për një situatë më të mirë gjatë vitit që lamë pas, por statistikisht situata nuk është më e mirë sesa vitet e kaluara?

Ministri Lleshaj: Situata, jo vetëm në Vlorë, por në të gjithë Shqipërinë, statistikisht është më e mirë, sesa të gjitha vitet që kemi kaluar, por sigurisht kjo nuk është një arsye që ne të flemë. Përkundrazi ne synojmë të shtojmë intensitetin e punës së Policisë dhe strukturave të tjera për ta përmirësuar më tej rendin, sigurinë publike në Vlorë.

Pyetje: Thatë se do të ketë një forcim të pozitave të Policisë duke hequr disa kompetenca, të cilat deri tani kanë qenë kontrollimi i territorit apo asgjësimi i lëndëve narkotike. Është ky le të themi, një pozicion më i volitshëm për Policinë e Shtetit për të bërë detyrën?

Ministri Lleshaj: Ne sigurisht, mendojmë dhe besojmë fort që mbështetja e Policisë është mbështetje për qytetarët. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Policinë në mënyrë që ajo t’i ketë të gjitha atributet për ta plotësuar misionin e saj mjaft të ndërlikuar dhe të vështirë.

Pyetje: Në disa nga emrat e prekur nga “Operacioni Forca e Ligjit” ka dhe vendim të Gjykatave për sekuestrim pasurie. A nuk duhet pritur vendimi i gjykatave, pa u vepruar nga “Operacioni Forca e Ligjit”?

Ministri Lleshaj: Ligji i parashikon këto situata. Ligji nuk konkuron, nuk krijon situata konkuruese midis procedurave të ndryshme. Nëse ka procedura që po zhvillohen ndërkohë nga gjykata, ligji nuk vepron. Faleminderit!

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Leave A Reply

Your email address will not be published.