Koronavirusi: Sa te shqetesuar duhet te jemi

Soft
Koronavirusi: Sa te shqetesuar duhet te jemi

Një virus, i panjohur më parë për shkencën- po shkakton sëmundje të rëndë mushkërish në Kinë dhe është pikasur edhe në vende të tjera. Të paktën 213 persona kanë vdekur nga virusi në Kinë, që u shfaq në dhjetor në qytetin Wuhan, me 10 mijë raste në mbarë vendin. Ka pasur raste edhe në 18 vende të tjera, por pa vdekje. Ekspertët presin që numri të rritet.

Një virus i ri që del në skenë, duke shkaktuar pneumoni te pacientët, është gjithmonë shqetësues dhe zyrtarët e shëndetësisë në mbarë botën janë në alarm. A mund të kufizohet ky shpërthim apo është diçka shumë më e rrezikshme?

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Çfarë është ky virus?

Zyrtarët në Kinë kanë konfirmuar se është një koronavirus. Kjo është një familje e gjerë virusesh, por vetëm shtatë prej tyre njihen se infektojnë njerëzit.

Sa të rënda janë simptomat?

Duket se nis me temperaturë, pasuar nga një kollë e thatë dhe, pas një javë, nisin problemet në frymëmarrje. Disa pacientë kanë nevojë për trajtim spitalor. Rreth një në pesë raste mendohet se është i rëndë. Duhet theksuar se infeksioni nuk shkakton rrjedhje hundësh apo teshtima.

Sa vdekjeprurës është?

Të paktën 213 persona dihet se kanë vdekur nga virusi, por teksa niveli i vdekjeve duket i ulët, të dhënat janë akoma të pasakta. Mijëra pacientë po trajtohen dhe nuk dihet nëse do jetojnë apo do vdesin. Po ashtu nuk dihet sa raste të paraportuara ka.

Nga ka ardhur?

Viruset e reja zbulohen çdo ditë. Ato kalojnë nga një specie tek njeriu. Shumë prej rasteve janë lidhur me një treg ushqimesh deti në Wuhan. Por rasti i parë i dokumentuar nuk ka lidhje me tregun. SARS dihet se nisi nga lakuriqi, kaloi te macet kivet dhe më pas te njeriu.

Cila kafshë?

Në momentin që zbulohet kafsha, prej nga ka ardhur virusi, problemi bëhet më i lehtë. Disa krijesa deti e mbajnë këtë virus. Po ashtu në tregun ku janë pikasur më shumë raste shiteshin pula, lakuriqë, lepuj, gjarpërinj, të cilët ka më shumë gjasë të jenë burimi. Shkencëtarët thonë se virusi i ri është i lidhur ngushtë me një të ngjashëm, të zbuluar te lakuriqët. Megjithatë kjo nuk do të thotë se lakuriqët janë burimi i shpërthimit- ata mund të kenë kaluar virusin te speciet e tjera në treg.

Përse Kina?

Për shkak të madhësisë dhe dendësisë së popullsisë, si dhe për shkak të kontaktit të ngushtë me kafshët që e mbajnë virusin.

Me sa lehtësi përhapet?

Në fillim u tha se virusi nuk përhapej mes njerëzve, por kjo teori ka rënë. Shkencëtarët thonë se një person i infektuar e kalon virusin deri te 2.5 njerëz. Ajo që dimë është se virusi nuk do të zhduket vetë. Vendimi i Kinës për të izoluar qytetet, mund të ndalojë përhapjen.

Kur bëhet infektues një njeri?

Shkencëtarët kinezë thonë se njerëzit bëhen infektues edhe përpara se të shfaqen simptomat. Koha mes infeksionit dhe simptomave- zgjat nga një deri në 14 ditë. Kjo do e bëjë punën më të vështirë.

Me sa shpejtësi përhapet?

Duket sikur numri i rasteve po shtohet shpejt. Por kjo ndoshta nuk është shumë e saktë. Shumë prej rasteve të reja po dalin në dritë falë përmirësimit të aftësisë së Kinës për të zbuluar personat e infektuar. Aktualisht ka pak informacion për nivelin e shtimit të rasteve. Por ekspertët thonë se numri i personave të sëmurë mund të jetë shumë më i madh se shifrat e raportuara.

A mund të pësojë mutacion virusi?

Po, mund të presësh që viruset të pësojnë mutacion dhe të evoluojnë me kalimin e kohës. Por është e vështirë ta dallosh. Autoritetet kineze thonë se aftësia e virusit për t’u përhapur po bëhet më e madhe, por nuk janë të qartë për rreziqet e mutacionit të virusit. Kjo është diçka që shkencëtarët po e monitorojnë nga afër.

A mund të ndalohet përhapja?

Tashmë e dimë se virusi nuk do ndalet vetë; vetëm veprimet e autoriteteve kineze do të sjellin fundin e kësaj epidemie. I vetmi opsion është të parandalosh që njerëzit të infektohen dhe të përhapin virusin te të tjerët.

Kjo do të thotë:

Kufizim i lëvizjeve të njerëzve.

Inkurajim i larjes së duarve.

Trajtim i pacientëve në izolim me punonjës që mbajnë veshje mbrojtëse.

Një punë e madhe hetimore duhet bërë edhe për të identifikuar personat me të cilët pacienti ka pasur kontakt, për të zbuluar nëse e kanë virusin.

A ka vaksinë apo trajtim?

Jo. Megjithatë po punohet për këtë. Shpresohet se puna e bërë për një vaksinë për virusin MERS, që është po ashtu koronavirus, ta bëjë punën më të lehtë.

Spitalet po testojnë ilaçe anti-virale për të parë nëse kanë ndikim.

Një kombimim i dy ilaçeve- lopinavir dhe ritonavir- rezultoi i suksesshëm në epideminë e SARS-it dhe po testohet edhe tani në Kinë.

ME TE LEXUARAT