Lajmi Fundit
Lajmi Fundit, Lajme Shqip, Gazeta, Informacione nga Shqiperia

Nga Peqini në ish-Bllok, ja si u shoqerua Dritan Dajti gjate vizitave mjekesore

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve(SHKBB), disa ditë më parë referoi në Prokurori disa prej punonjësve të burgjeve që kanë bërë shoqërimin e të dënuarit Dritan Dajti për dy vizita mjekësore në Tiranë.

Sipas një hetimi të kryer, SHKBB konstatoi shkelje në vlerësimin e riskut për shoqërimin e këtij të dënuari të sigurisë së lartë. Ndërkohë, në kuadër të verifikimeve të kryera, SHKBB ka marrë edhe dëshmitë e punonjësve që kanë qenë prezentë gjatë shoqërimit, një ndër ta edhe përgjegjësi i Sektorit të Forcave Operacionale, Ferit Mici.

Ky i fundit ka treguar të gjithë itinerarin e lëvizjes, nga nisja e Forcave Operacionale në datë 10 janar në orën 7:30 nga Tirana, deri te mbërritja dhe më pas vizitat e kryera. Mici thotë se gjatë gjithë rrugës për në Tiranë, makina të Forcave të Rendit kanë shoqëruar makinën ku ndodhej Dajti, ndërsa në rrethrrotullimin e TEG-ut,shoqërimit i janë bashkuar edhe Forcat “Shqiponja” deri në destinacion.

Ajo që vihet re në dëshminë e Micit është që në fillim ata kanë qenë të paqartë për adresën ku do bëhej vizita, ndërsa kanë komunikuar në telefon me mjeken në mënyrë që të mos kishte pacientë të tjerë e të qartësonte adresën. Nga Forcat Operacionale është bërë kontrolli i ambienteve ku do bëhej vizita dhe vendosja e punonjësve të Policisë. Ndërkohë, Policia e Shtetit ka bllokuar kalimin e mjeteve në ambulancë dhe trotuar gjatë futjes së të dënuarit në furgon.

E njëjta procedurë është ndjekur edhe për vizitën në ish-Bllok.

SHKBB ka kërkuar edhe kamerat e sigurisë në klinikën në “21 Dhjetor” dhe pas këqyrjes nuk janë vërejtur veprime të dyshimta, ndërkohë në klinikën në ish-Bllok nuk është arritur të sekuestrohen.

Itinerari i lëvizjes së Dritan Dajtit

“Në datë 11.01.2020 u pyetën punonjësit e Forcave Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, nga përgjegjësi i sektorit deri te punonjësit e Policisë që janë marrë me shoqërimin e tij. Përgjegjësi i Sektorit të Forcave Operacionale, Ferit Mici, deklaroi të gjithë itinerarin dhe veprimet e kryera nga Sektori i Forcave Operacionale e konkretisht: Në datë 09.01.2020, rreth orës 17:00 i ka ardhur urdhri me numër 307 për shoqërimin e të dënuarit të sigurisë së lartë, Dritan Dajti. Ky urdhër ka qenë i firmosur nga drejtori i Policisë së Burgjeve. Në urdhër thuhej se shoqërimi i të dënuarit Dritan Dajti për në klinikat private do të bëhej nga Sektori i Forcave Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në datë 10.01.2020, nga ora 08:30-14:00. Ky i dënuar do të çohej për vizitë në klinikat private A., Tiranë dhe do të vizitohej nga doktoreshë A.I., për spirometri. Gjithashtu do të shoqërohej për në klinikën SEE ËELL, Tiranë dhe do të vizitohej nga doktor R.T., okulist. Me marrjen e këtij urdhri në datë 09.01.2020 është përgatitur nga ana e përgjegjësit të FO plani i masave me detyra specifike për çdo punonjës, si dhe mjetet me të cilat do të bëhej lëvizja e të dënuarit Dritan Dajti, me qëllim sigurimin dhe shmangien e çdo premise për ngjarje të jashtëzakonshme”.

Nisja

“Në datën 10.01.2020, në orën 07:30, grupit që do të bënte shoqërimin sipas urdhrit të datës 09.01.2020 i është bërë instruktazh i veçantë, janë njohur detyrat për secilin sipas planit të masave në sallën e Gjykatës, ku është zyra e Forcave Operacionale. Më pas janë urdhëruar përgjegjësit e grupeve, Ferdinant Pipero, Pëllumb Hajro, për t’u pajisur me pajisjet dhe armatimin (armët e gjata) dhe në orën 08:10, mbasi është raportuar në sallën operative të DPB me telefon se kishte filluar lëvizjen me tri mjete në rrugëkalimin Gjykatë e Krimeve të Rënda, Zogu i Zi, 21 Dhjetori, mbikalimi, Tegu, Tuneli, Bradashesh, Peqin.

Gjatë rrugës, për çdo kalim territori është njoftuar salla operative e DPB-së. Gjatë rrugës, shefi i FO është kontaktuar nga shefja e Shëndetësisë së DPB-së, Drita Jaka, e cila i ka konfirmuar se doktoreshë A. ku i dënuari do të bëjë vizitën e parë, ndodhet në Poliambulancën Nr.9, pranë 21 Dhjetorit (shtetërore) në katin e tretë, dhoma 3.10. Në IEVP Peqin, marrja në dorëzim e të dënuarit është bërë nga katër punonjës me përgjegjës kryeinspektor Ferdinant Pipero, gjithmonë në prezencë të Ferit Micit”.

Marrja e të dënuarit

Me ardhjen e mjetit të Policisë së Peqinit te dera e IEVP-së Peqin, është njoftuar salla operative e DPB-së dhe ka filluar lëvizjen sipas destinacionit të përcaktuar. Gjatë gjithë rrugës janë shoqëruar në formë stafete nga Forcat e Policisë së Rendit me një mjet Policie deri te rrethrrotullimi i TEG-ut. Nga ky stacion i janë shtuar për shoqërim edhe motorë me katër punonjës Policie të Shigjetave deri në destinacion. Kur kanë qenë te mbikalimi te Pallati me Shigjeta është komunikuar me doktoreshën A.I., ku i është kërkuar që të konfirmojë edhe një herë adresën e saktë se ku ndodhet dhe të mos ketë asnjë pacient dhe personel zyre, pasi ishim shumë afër Poliambulancës Numër 9.

Vizitat

Me mbërritjen rreth orës 10:00 në hyrje të Ambulancës Nr.9 ka pasur prani të shumë të efektivëve të Policisë së Shtetit. Më pas është vepruar sipas planit të masave, kontroll dhomave ku do të bëhej vizita, sigurimi perimetral në hyrje dhe në ambulancë. Pasi ka mbaruar kontrolli i dhomës së vizitës dhe vendosja e punonjësve të Policisë në vendet e tyre të shërbimit sipas planit të masave nën drejtimin e Ferit Micit, me tre punonjës Policie është marrë i dënuari nga makina i prangosur dhe është shoqëruar deri në dhomën e vizitës. Në këtë kohë, Forcat e Policisë së Shtetit kanë bllokuar hyrjen e ambulancës dhe trotuarin para saj. Gjatë kryerjes së vizitës kanë qenë prezentë doktoresha, përfaqësuesja e Shëndetësisë së IEVP Peqin, tre punonjësit e sigurisë, Pëllumb Hajro, Azem Cera, Halil Vatoci dhe Ferit Mici.

Është futur në këtë dhomë edhe specialisti Shkëlzen Pepkolaj me intervale, mbasi koordinonte veprimet e shërbimeve brenda dhe jashtë. Me mbarimin e vizitës, e cila zgjati afërsisht rreth 30-40 minuta, Forcat e Policisë së Shtetit bënë edhe një herë bllokimin e trotuarit dhe hyrjes se ambulancës dhe më andej, në drejtimin e Ferit Micit, është lëvizur i dënuari Dritan Dajti nga kati i tretë për në automjet. Më pas u nisën për në klinikën SEE ËEll, e cila ndodhej në zonën e ish-Bllokut, rreth orës 11:00.

E njëjta procedurë u ndoq edhe në këtë rast për shoqërimin e tij deri në përmbyllje të vizitës. Pasi ka mbaruar me vizitën, në të njëjtën mënyrë është shoqëruar deri në automjet. Pas çdo veprimi dhe lëvizjeje është vënë në dijeni salla operative e DPB-së nga Ferit Mici. Rreth orës 13:10, FO kanë qenë në IEVP Peqin, ku është bërë dorëzimi i të dënuarit, praktika dokumentare dhe është raportuar në sallën operative të DPB-së.

Verifikimet

Gjatë gjithë kësaj kohe, asnjë person, me përjashtim të dy mjekëve, nuk kanë marrë kontakt fizik apo ka komunikuar me këtë të dënuar. Vendndodhjen e klinikës A., FO nuk e dinim të saktë. Dinim vetëm emrin e doktoreshës që do të kryente ekzaminimin. Për këtë është kërkuar nga shefja e Shëndetësisë D.J. nëpërmjet telefonit të konfirmojë vendin e saktë ku do të kryejë vizitën kjo mjeke. Përgjigjja ka qenë në Poliklinikën e 21 Dhjetorit, katin e tretë, dhoma 3.10.

Nga ana jonë u morën pamjet filmike të Klinikës së Specialiteteve, Ambulanca Nr. 2, ku nga këqyrja e tyre nuk vihet re të ketë veprime të dyshimta. Sa i përket pamjeve filmike të klinikës SEE ËELL, rezulton se nga kontakti i marrë, menaxherja na bën me dije se pamjet filmike të klinikës janë vetëm online dhe nevojitej abonimi premium për të bërë të mundur kthimin e tyre. Abonim, i cili nuk disponohej nga ana e stafit të kësaj klinike”.

Katër shkeljet e konstatuara në shoqërimin e Dritan Dajtit

Në kallëzimin e bërë në Prokurori, SHKBB shkruan se nga verifikimet është konstatuar se nuk është bërë një vlerësim i situatës para se të ndërmerrej shoqërimi i të dënuarit. Nuk ka funksionuar ndarja e informacionit mes sektorëve të ndryshëm dhe më pas të bëhej njoftim tek eprorët. Gjithashtu, problem është konsideruar edhe komunikimi me telefon për lëvizjen e të dënuarit.

“Mosvlerësimi si duhet i situatës. Mosbërja e një vlerësimi të mirëfilltë risku, në përputhje e përshtatje me vendndodhjen e klinikave. Nuk ka funksionuar dhënia dhe marrja e informacionit, si dhe korrespondenca midis sektorëve ku të arrihej në një konkluzion të përbashkët, për të cilin të informoheshin strukturat eprore. Njoftimi i lëvizjes së të dënuarit nga salla e informacionit drejtuar eprorëve është bërë me sms, një sjellje rutinë e cila humbi rëndësinë e rastit”, shkruhet në kallëzim./ Panorama.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Leave A Reply

Your email address will not be published.