Lajmi Fundit
Lajmi i Fundit, Lajme, Gazeta, Shqip, Online, live 24

Basha mesazh ngushellimi per ndarjen nga jeta të Xhevdet Ferrit

Kryetari I Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet e tij për humbjen e aktorit Xhevdet Ferri.

‘Mësova me dhimbje të thellë ndarjen e parakohshme nga jeta të Xhevdet Ferrit, njërit nga ikonat e kinematografisë shqiptare të viteve ’80 dhe një luftëtari të palodhur për mbijetesën e filmit shqiptar, gjatë viteve të tranzicionit.

40 vjet në skenë e shndërruan Xhevdet Ferrin në një simbol të artit shqiptar, në një kontributor të palodhur të artit të mirë që bënte bashkë Durrësin e Tiranën, provincën e metropolin, në një kontributor të atij arti që aq shumë u duhet shqiptarëve në rrugën e vështirë drejt lartësimit të dinjitetit njerëzor.

Tek galeria e personazheve të tij, në teatër, por kryesisht në film, gjithkush gjente karakteret e përditshmërisë, gjente shembullin si duhet qëndruar për të mos u konformuar me të keqen, por gjente edhe shpresën se nga qëndresa vjen e nesërmja më e mirë.

Pas 1990-s, aktivizmi i Xhevdet Ferrit në procesin e vështirë të reformimit të institucioneve kryesore kombëtare që merreshin me prodhimin e filmit ishte i pashoq dhe shembulli se si një personalitet i artit mund të ecë në rrugën e vështirë dhe shpesh të pashkelur të administrimit të artit, si një e mirë publike dhe kombëtare.

Në krye të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, në krye të Teatrit Kombëtar, por kryesisht si themelues dhe drejtues i parë i Shoqatës së Kineastëve Shqiptarë, Xhevdet Ferri shërbeu si udhërrëfyes i ndryshimit, edhe për një brez të ri kineastësh, të cilët gjendeshin në kushtet e vështira të tranzicionit të kësaj industrie.

Partia Demokratike ka qenë e nderuar që ka pasur në radhët e saj si deputet për një legjislaturë të Kuvendit të Shqipërisë, artistin Xhevdet Ferri.

Humbja e tij, për çdo anëtar të PD dhe për çdo dashamirës të artit shqiptar, është e pazëvendësueshme.

Me mendje dhe lutje jam sot pranë bashkëshortes, vajzës dhe të gjithë familjarëve në këtë ditë të dhimbjes së thellë dhe ngushëllohem se trashëgimia e Xhevdet Ferrit në teatër dhe kinematografi është burim frymëzimi për çdo artist të ri, si dhe për çdo qytetar që angazhohet për një shoqëri që e do artin dhe që lufton për kinemanë kombëtare. U prehtë në paqe!-ngushëllon Basha.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Kliko per me shume info

Leave A Reply

Your email address will not be published.