Kanabis nga Spanja ne Rumani, avokati shqiptar nen hetim per trafik droge

Aktualitet
Kanabis nga Spanja ne Rumani, avokati shqiptar nen hetim per trafik droge

Një operacion i Prokurorisë së Rumanisë në nëntor të 2019-ës ka vënë në pranga dy shtetas shqiptarë për trafikim të lëndëve narkotike, njërit prej të cilëve i është gjetur me vete një licencë avokatie.

Me anë të një letërporosie, Prokuroria rumune i kërkon Prokurorisë së Tiranës të dhëna për Flordi Aliajn dhe shtetasin tjetër, Hiqmet Hoxha, të cilët janë nën hetim për trafikimin e 60 kilogramëve kanabis, që sipas hetimeve ishin blerë në Spanjë për t’u shitur në tregun vendës në Rumani.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Aliajt, siç rezulton nga letërporosia, i është gjetur dhe një licencë avokatie dhënë nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë në Shqipëri dhe autoritetet rumune kërkojnë të dinë nëse është avokat në vendin tonë. Nga të dhënat që rezultojnë në QKB, shtetasi Flordi Aliaj ka pasur të regjistruar niptin për ushtrimin e avokatisë që në vitin 2007 dhe e ka pezulluar atë përkohësisht në vitin 2012. AKUZAT Prokuroria Rumune ka ngritur akuzën e “Trafikut kombëtar dhe ndërkombëtar”për Flordi Aliajn, Hiqmet Hoxhën, një shtetas grek dhe një rumun.

Ata janë arrestuar në flagrancë gjatë trafikimit të lëndës narkotike. “Nga të dhënat rezulton se, në kuadër të çështjes penale për hetimin e veprës penale ‘Trafiku kombëtar dhe ndërkombëtar i drogës me rrezik dhe rrezik të lartë’, në datë 11.11.2019 nga Prokuroria Pranë Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe Drejtësisë (Drejtoria e Investigimit të Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit) Rumani, ka filluar ndjekja penale në ngarkim të katër personave pas kapjes në flagrancë të një sasie prej rreth 60 kilogramëve kanabis. Ndër këta persona, dy prej tyre janë shtetas shqiptarë dhe konkretisht: Flordi Aliaj dhe Hiqmet Hoxha, nën aspektin e kryerjes në konkurs real të veprave penale ‘Trafiku kombëtar dhe ndërkombëtar i drogës me rrezik dhe rrezik të lartë’ të parashikuar në nenin 2 pika 1, respektivisht neni 3 pika 1 të ligjit”, shkruhet në letërporosi.

HETIMET

Prokuroria e Tiranës aktualisht është duke verifikuar të dhënat që kërkohen nga autoritetet e drejtësisë rumune, në lidhje me këta dy shtetas.

Konkretisht, kërkohet informacion “nëse ndaj të pandehurve po kryhen hetime, nëse po, kërkohet të dërgojmë kopje të dosjeve penale; Kopje të dëshmive penale të të pandehurve Hiqmet Hoxha dhe Flordi Aliaj; Çfarë pune bëjnë, pasuritë që kanë dhe të ardhurat e të pandehurve Hiqmet Hoxha dhe Flordi Aliaj; Nëse Flordi Aliaj është avokat (atij i kanë gjetur një licencë lëshuar në emrin e tij, e cila shkruan DHOMA E AVOKATISË SË SHQIPËRISË AVOKAT 2019 Liç: 2695 E).

Të dhëna në lidhje me të pandehurit Flordi Aliaj dhe Hiqmet Hoxha kur kanë dalë nga Shqipëria në periudhën korrik 2019- nëntor 2019. Për sa më sipër, autoritetet e drejtësisë rumune, kërkojnë: Të kryhen veprimet hetimore të sipërpërmendura”. Ndërkohë të dhënat e kërkuara për shtetasin tjetër Hiqmet Hoxha janë dërguar në Rrethin Gjyqësor Gjirokastër.

Operacioni i autoriteteve rumune është zhvilluar gjatë tri ditëve në nëntor të 2019-ës, ku është bërë vëzhgimi ambiental dhe ndjekja e 4 personave, që sipas Prokurorisë rumune kanë organizuar trafikimin e lëndës narkotike. Dy shqiptarët kanë kontrolluar rrugën për kontrolle, ndërkohë që droga ishte fshehur në një kamion që drejtohej nga një shtetas grek.

“Midis datave 9 dhe 10 nëntor 2019, tre të pandehurit zhvilluan disa takime në parkingun e një qendre tregtare në kryeqytet dhe në një restorant afër autostradës A1. Për të siguruar suksesin e veprimtarisë kriminale, më 9 nëntor 2019, dy shtetas shqiptarë të moshës 39 dhe 41 vjeç kryen disa patrullime në autostradën A1 për të siguruar që ato nuk u gjurmuan për në vendin ku po lëvizte lënda. Ndërkohë, një shtetas tjetër grek i moshës 47 vjeç transportonte sasinë e kanabisit“, thuhet në një deklaratë të Prokurorisë rumune. /Panorama/

ME TE LEXUARAT