Lajmi Fundit
LajmiFundit, Portal me Lajme nga Shqiperia

Fillon aksioni për heqjen e depozitave nga tarracat/ Bashkia: Mbrohen qytetarët

Ashtu edhe siç është paralajmëruar nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka filluar edhe aksioni për heqjen e depozitave nga tarracat.

Pas tërmetit të 26 nëntorit, vendosja e depozitave të ujit në tarraca është kthyer në rrezik konstant.

Aksioni i parë është shënuar në pallatet që janë shpallur të pabanueshëm nga Instituti i Ndërtimit dhe konkretisht vetëm në njërin nga pallatet në njësinë Nr.6 është realizuar.

17 depozita me kapacitet 1 mijë litra janë çmontuar, pasi rëndonin ndjeshëm tarracën dhe strukturën e këtij pallati.

Propozimi i bashkisë është që në vend të depozitave personale, banorët të kenë depozita të përbashkëta, të cilat përveç garantimit të sigurisë për jetën do sjellë edhe mirëadministrim të furnizimit me ujë.

Heqja e depozitave në pallatet e padëmtuara nga tërmeti duhet të bëhet nga vetë banorët, në bashkëpunim me administratorin e pallatit. Tashmë, jo çdo banor duhet të kujdeset për mirëmbajtjen e depozitës individuale, por sipas rregullave dhe ligjit të bashkëpronësisë, e gjithë tërësia e bashkëpronarëve, nëpërmjet administratorit të përzgjedhur, kujdeset për depozitën e përbashkët të ujit, ashtu siç ndodh në pjesën më të madhe të pallateve të reja të banimit.

Bashkia e Tiranës do të mbështesë asamblenë e bashkëpronarëve dhe administratorët për lehtësimin e këtij procesi për vendosjen e depozitave të përbashkëta të ujit, me qëllim dhe garantimin e jetës dhe shëndetit të njerëzve.

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet