Betohen 8 prokurorët e SPAK/ KLP vendos sot për drejtuesin

Aktualitet

Dita e sotme mban një peshë të madhe dhe kjo për shkak sepse tetë prokurorët e strukturës së posaçme, SPAK, janë betuar para Presidentit, Ilir Meta. Me këtë betim, automatikisht shënohet edhe pushimi i funksionimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe kompetencat i kalojnë drejtpërdrejt SPAK.

Por çfarë duhet të dimë për prokurorët e parë të SPAK?

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Tetë prokurorët tashmë të betuar: Altin Dumani, Arben Kraja, Behar Dibra, Edvin Kondilli, Elida Celami(Kaçkini), Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai dhe Klodian Braho, janë me një mandat 9 –vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi.

"Në Institucionin e Kryetarit të Shtetit u zhvillua sot ceremonia solemne e betimit para Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, të tetë anëtarëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar: znj. Elida Kaçkini, znj. Enkeleda Millonaj, z. Edvin Kondili, z. Behar Dibra, z. Arben Kraja, z. Klodian Braho, z. Ened Nakuçi dhe z. Altin Dumani.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të vendimeve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, prokurorët u betuan para Presidentit Meta: “Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale!”

Presidenti i Republikës u uroi suksese dhe punë të mbarë prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në ceremoni e betimit ishin të pranishëm edhe Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, Avokati i Popullit Erinda Ballanca, Anëtarja e Gjykatës Kushtetues Vitore Tusha, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të OPDAT-it, misionit EURALIUS V dhe anëtarët e KLP-së", njofton Meta.

Gjithashtu ditën e sotme do të merret nga KLP edhe vendimi se cili nga tre kandidatët Altin Dumani, Arben Kraja dhe Edvin Kondili, do të drejtojë Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK).

ME TE LEXUARAT