DW: Përgjegjësit për sigurinë e godinave dalin para drejtësisë

Aktualitet

Në Durrës arrestohen 9 persona, 8 në kërkim. Akuza nga shpërdorim i detyrës deri në vrasje.

Hetimet e nisura nga Prokuroria e Durrësit për dëmet materiale dhe viktimat e tërmetit të 26 nëntorit kanë dhënë rezultatet e para. Drejtoria e Policisë së Shtetit, rrethi i Durrësit, në një deklaratë zyrtare njoftoi të shtunën, (14.12.2019) se grupi hetimor i ngritur "për kryerjen e veprimeve, dokumentimin e paligjshmërisë dhe mbledhjen e provave në objektet e shkatërruara nga tërmeti për të vënë para përgjegjësisë ligjore personat përgjegjës, përfundoi fazën e parë të punës me arrestimin e 9 personave dhe 8 të tjerëve që janë në kërkim”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Nga hetimet e deritashme dyshohet se "dëmtimet e rënda të godinave të banimit dhe humbja e jetës së viktimave nga tërmeti i 26 nëntorit janë shkaktuar edhe si pasojë e kryerjes së ndërtimeve pa respektuar rregullat, normat dhe standartet në fushën e ndërtimit,” thekson deklarata e Policisë së Shtetit, Durrës.

Çfarë përfaqësojnë 9 të arrestuarit dhe 8 të kërkuarit?

Në bazë të listës së publikuar nga Policia e Shtetit, rezulton që 9 të arrestuarit dhe 8 personat në kërkim janë ndërtues, ish-nëpunës në administratën e bashkisë dhe institucioneve lokale në Durrës, supervizorë të ndërtimit që dyshohet se nuk kanë zbatuar ligjet me veprimet apo mosveprimet e tyre. Emrat e tyre janë të lidhura me procesin e ndërtimit të pallateve, godinave të banimit dhe hoteleve në zonën e Durrësit, ku humbën jetën 26 vetë. Ata janë ish-funksionarë në zyrat e administratës lokale, ndërtues, kolaudues e supervizorë të punimeve si edhe pronarë të dy hoteleve që shkatërroi tërmeti.

Prokurorja e Prokurorisë së rrethit të Durrësit, Anita Jella u deklaroi mediave se objekti i hetimit lidhet me "zbatimin e rrregullave prej ndërtuesve formalë dhe informalë, zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve që miratuan lejet e ndërtimit apo legalizimin e banesave informale. Grupi hetimor ka gjetur paligjshmëri në objektet ku u shkaktuan viktimat”.

Akuzat - nga shpërdorim detyre deri në vrasje

Akuzat e prokurorisë për të arrestuarit dhe ata në kërkim variojnë nga "shpërdorim i detyrës" në "falsifikim dokumentash ", "vrasje me dashje" dhe "vrasje në rrethana cilësuese", kjo e fundit për dy ndërtues informalë në hotelet e shkatërruara në plazhin e Durrësit.Hetimet kanë filluar edhe nga prokuroria e Tiranës dhe ajo e Krujës, që përfshin fshatin Thumanë.

Arrestimet në Durrës dhe ato të pritshme nga hetimet në Tiranë dhe Krujë janë rezultatet e para të angazhimit që mori Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Olsian Çela, në 5 dhjetor, ditën e parë të marrjes së detyrës për të ҫuar para drejtësisë të gjithë ata pjesëmarrës në procesin e ndërtimit, që duke mosrespektuar rregullat dhe standaret që parashikon ligji, shkaktuan viktima dhe dëme të mëdha materiale.

ME TE LEXUARAT