Lajmi Fundit
Lajmi i Fundit, Lajme Shqip, Gazeta, Informacione nga Shqiperia

Dosja e prokurorise, nderhyrja per lokal shkaktoi shembjen e 6-kateshit ne Durres

Hetimet e prokurorisë për demet nga termeti dhe shembjen e godinave në Durrës çuan një ditë më parë në arrestimin e 9 personave dhe shpalljen në kërkim të 8 të tjerëve. Ata akuzohen për vrasje me dashje, vrasje në rrethana të tjera cilësuese, shpërdorim të detyrës dhe falsifikim të dokumenteve.

Ne një pjesë të dosjes së prokurorisë së Durrësit, detajohen shkeljet e bëra nga ndërtues, zyrtarë të shtetit dhe investitorë. I tillë është rasti i shembjes së pallatit 6 katësh në lagjen 6 të Durrësit, ku në 26 Nëntor humbën jetën Hatije Rexhepi dhe Xhulieta Gjana.

Prokurorët thonë se nga hetimet ka rezultuar se shkak për shembjen e pallatit janë bërë ndërhyrjet në katin e parë, nga pronari i një bar kafeje, për të përfituar më shumë hapësirë.

“Nga hetimi rezulton se në katin e parë të ndërtesës është ndërhyrë në mënyrë të kundërligjshme në vitin 2014, e në vazhdim nga i dyshuari Artur Terziu duke prishur strukturën e mureve mbajtëse, etj me qëllim përshtatjen e ambienteve për qëllime tregtare “Bar Kafe” të emërtuar “Barons” duke e lidhur shtesën pa leje, të kryer në të tre anët e këtij objekti. Po kështu për qëllime dhe në funksion të biznesit ai ka instaluar dhe 3 depozita uji voluminoze”.

Por shkeljet e pronarit të bar kafes që është ende në kërkim, janë legalizuar nga ish-drejtori i ALUIZNI-t në Durrës, Flamur Gjuzi.

“Nga sa më sipër rezulton se ekzistojnë dyshime të bazuara se nga ana e shtetasit Flamur Gjuzi në cilësinë e ish-drejtorit të ALUIZNI-t Durrës ka legalizuar në datë 17.05.2016 për objektin në kundërshtim me ligjin i cili dyshohet se ka kryer elementët e veprës penale “shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”.

Edhe ish-kreu i ALUIZNI-t për Durrësin është në kërkim nga policia. Hetimet e prokurorisë janë përqendruar në të 7 ndërtesat e shembura, si: Konvaleshenca, hotel Mira Mare, hotel Tropikal, hotel Vila Palma, pallati 6 katësh dhe banesa e familjes Lala. Nga rrënojat e tyre u nxorrën të pajetë 23 persona. Organi i akuzës thotë se hetimet vijojnë dhe se priten arrestime të tjera, citon klan.

Leave A Reply

Your email address will not be published.