Rama shkon në Thumane, PD: Jep llogari per humbjen e 24 jeteve

Politikë

Kryeministri Edi Rama ka vizituar sot Thumanën i shoqëruar nga hoxhë, Elvis Naçi i cili përmes fondacionit “Firdeus” ka mbledhur fonde për të familjet e dëmtuara nga termeti. Ata janë përshkuar në këmbë rrugë të fshatit, duke parë banesat e dëmtuara dhe duke folur me banorët.

Gjatë bashkëbisedimit me Ramën, Naçi tha se janë mbledhur 7 milionë euro vetëm për zonën e Thumanës. “Kanë qenë donatorë të vegjël, por me mijëra”, tha ai.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sakaq banorë të shumtë e ndalin në rrugë Naçin për t’i shprehur hallin, por ai ka premtuar se në ditët në vijim do të hapë një zyrë të posaçme dhe do ti shqyrtojë një e nga një familjet që janë më në nevojë për banesë.

Po kështu edhe Rama tha se “bashkë me Elvis Naçin do punojmë për ta rindërtuar Thumanën, me shtëpi të reja, shkolla, qender shëndetësore, etj”.

Menjëherë pas kësaj vizite reagoi Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Ai tha se Rama akoma nuk ka dhënë llogari për humbjen e 24 jetëve të pafajshme.

“Spektakli i shëmtuar i Edi Ramës në Thumanë me shtëpitë që i ka detyrim ligjor për t’i ndërtuar është i papranueshëm dhe nuk e shpëton dot atë dhe bashkëpunëtorët e tij nga përgjegjësia morale, politike dhe penale.

Ai është kthyer në vendin e krimit shtetëror pa dhënë llogari për humbjen e jetëve të 24 njerëzve të pafajshëm.  Në javën e tretë pas tërmetit, Edi Rama hesht për përgjegjësitë direkte të Komitetit të Emergjencave, të drejtuar prej tij dhe të Bashkisë së Krujës, përse banorët e pallateve të shembura në Thumanë u lejuan të jetojnë aty pas tërmetit të 21 Shtatorit.

Edi Rama është i detyruar t’u thotë shqiptarëve çfarë permbanin aktet e konstatimit për dy pallatet e shembura me 26 Nëntor, çfarë masash u morën dhe kush i lejoi banorët të futeshin në pallate të pasigurta pas 21 Shtatorit.

#DREJTËSI për viktimat e 26 Nëntorit!” shkruan Bardhi.

ME TE LEXUARAT