Lajmi Fundit
Lajmi i Fundit, Lajme Shqip, Gazeta, Informacione nga Shqiperia

Gjyqtaret qe shpetuan vrasesit e ‘21 Janarit’ jashte drejtesise per 15 vite

TIRANE- Dy gjyqtarët e Apelit Agim Bendo dhe Ervin Metalla, të cilët shpallën ‘vrasje pa dashje’ ekzekutimin e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit nga Ndrea Prendi dhe Agim Llupo në protestën e 21 Janarit 2011, zyrtarisht nuk mund t’i afrohen sistemit të drejtësisë për 15 vjet. Shkarkimi i Ervin Metallës për fshehje pasurie është vulosur nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që në 30 tetor të 2019, ndërsa Agim Bendo u vetëlargua nga drejtësia para se të përballeshin me Vetingun.

Pjesë e trupit gjykues ishte edhe gjyqtarja Evjeni Sinojmeri. Kjo e fundit është larguar nga drejtësia për një periudhë dyvjeçare që në 1 prill 2018. Megjithatë, pavarësish lejes së miratuar nga Këshilli i Lartë u Drejtësisë, Komisioni i Vetingut ka nisur që më 15 nëntor 2018 verifikimin e Evjeni Sinojmerit për ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.

Vendimmarrja e fundit është firmosur për fatin e gjyqtarit të Apelit, Agim Bendo. Në 4 dhjetor të 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me trupë gjykuese të përbërë nga Alma Faskaj, Pamela Qirko dhe Firdes Shuli, ka vendosur “ndalimin e emërimit të z. Agim Bendo si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë e Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare”. Ky vendim erdhi pas dorëheqjes së gjyqtarit nga drejtësia, dorëheqje e cila u pranua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor në 4 nëntor 2019. Trupa gjykuese e KPK kishte nisur verifikimin e Bendos për ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale që në 24 shtator të 2018.

Agim Bendo, Ervin Metalla dhe Evjeni Sinojmeri
Treshja e gjyqtarëve Agim Bendo, Ervin Metalla dhe Evjeni Sinojmeri, në shtator të vitit 2013 dënuan me vetëm vit burg ish-kreun e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i akuzuar për vrasjen Faik Myrtajt si dhe me 3 vjet burg Agim Llupon i akuzuar për vrasjen e Ziver Veizit në protestën e 21 Janarit 2011.

Prokuroria kishte kërkuar 23 vjet burg për Ndrea Prendin dhe 25 vjet për Agim Llupon. Vrasje e dy protestuesve të tjerë Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës mbetën pa autor. Gjithashtu pa autor mbetën edhe plagosjet me armë zjarri të gjashtë protestuesve të tjerë, përfshirë edhe gazetarë./shqiptarja

Leave A Reply

Your email address will not be published.