Kajmaku kerkese nga arratia, ja çfare ka dorezuar avokati ne Gjykaten e Apelit…

Politikë

Kajmaku ka apeluar masën e sigurisë “Arrest me burg”, që ka dhënë ndaj tij në mungesë më 11 nëntor Gjykata e Tiranës.

Burimet thanë se avokati i Agim Kajmakut ka dorëzuar kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Apelit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ish-kryetari i Bashkisë Vorë, i shkarkuar nga KQZ pasi shkeli ligjin e dekriminalizimit, në këtë formë kërkon lirinë, edhe pse nuk është përballur ende me drejtësinë për të dhënë shpjegime.

Policia e Tiranës vijon ende kërkimet për gjetjen e ish-zyrtarit socialist, me qëllim ekzekutimin e masës së sigurisë, por deri tani nuk është rënë në gjurmët e tij. Gjykata kishte urdhëruar edhe kontrollin e banesës së Kajmakut për të gjetur prova që vërtetojnë shpërdorimin e detyrës.

SHPALLJA NE KERKIM

Agim Kajmaku, ish-kreu i Bashkisë Vorë, i shkarkuar nga KQZ-ja për shkeljen e ligjit të dekriminalizimit, për të cilin u lëshua një urdhërarresti më 11 nëntor, akuzohet për falsifikim të formularëve dhe ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës.

Në shkresën e Prokurorisë theksohet: “Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka shpallur në kërkim me masë sigurimi ‘Arrest në burg’, në lidhje me hetimin që zhvillohet në ngarkim të shtetasit Agim Kajmaku, i dyshuar për kryerjen e veprave penale, ‘Shpërdorim detyre’, sipas nenit 248 të Kodit Penal, ‘Falsifikimi i formularëve’, neni 190 i Kodit Penal dhe ‘Ushtrimi i funksioneve pas dhënies fund të detyrës, neni 249 i Kodit Penal”.

Akuza e fundit ka të bëjë me shkarkimin e punonjësve, në kohën që KQZ kishte shpallur shkarkimin e tij nga detyra. Pas vendimit të KQZ, Kajmaku ka shkarkuar nga detyra dy nënkryetarët e bashkisë, megjithëse edhe vetë ishte zyrtarisht i shkarkuar si titullar i Bashkisë Vorë.

MANDATI

Disa ditë para se Prokuroria të kërkonte arrestimin e tij, KQZ i hoqi mandatin ishkryebashkiakut të Vorës, pasi Prokuroria e Përgjithshme i kishte dërguar një shkresë për këtë qëllim. Pavarësisht se Kajmaku iu drejtua me një letër Kryeprokurores Arta Marku, ku thoshte se ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit të Janinës për falsifikim të kartëmonedha nën emrin e Jorgo Totos, fshehja e kësaj çështjeje në formularin e vetëdeklarimit, përbën shkelje.

“Nga verifikimet e kryera konfirmohet se subjekti Agim Kajamaku ka pasur dijeni të plotë në lidhje me faktin që ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor penal në zhvillim. Kjo, sepse ai është arrestuar në flagrancë dhe ka dalë para Gjykatës greke, ku i është bërë e ditur e gjithë procedura që do ndiqet ndaj tij. Nga ana tjetër rezulton se subjekti ka kryer veprime konkrete për fshehjen e këtij fakti para autoriteteve shqiptare, duke ndryshuar në datë 30.03 .2004 emër/mbiemër nga ‘Jorgo Toto’ në ‘Agim Kajmaku’, si dhe duke mos e deklaruar këtë fakt në formularin e vetëdeklarimit”, thuhet në shkresën e prokurorit Arben Kraja.

Kreu i III-të, pika 3, gërma “ç”, e vendimit nr.17/2016 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, thuhet se “pasqyrimi i të dhënave të pavërteta, të paplota, dhe të pasakta në të, passjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi/ zgjedhja/emërimi apo nga funksioni publik”.

NËNKRYETARI I VORËS

Prokuroria ka sekuestruar celularin e nënkryetarit të Bashkisë së Vorës, Gentian Picari. Ky i fundit është emëruar në postin e nënkryetarit nga Agim Kajmaku, ndonëse nuk ishte më në detyrë, pasi u shkarkua nga KQZ si kryetar i Bashkisë së Vorës, për shkak se u vërtetuan akuzat e opozitës, se ai ka qenë i arrestuar dhe dënuar në Greqi për falsifikim parash. Agim Kajmaku është shpallur në kërkim prej disa ditësh, por nuk dihet vendndodhja e tij.

Pas shkarkimit nga KQZ, u zbulua se Kajmaku kishte firmosur shkarkimin e dy nënkryetarëve të rinj të bashkisë, duke emëruar në këtë post vetëm Gentian Picarin. Picari, nga ana tjetër, ka bërë kërkesë që t’i rikthehet telefoni. Një ndër akuzat e ngritura ndaj Kajmakut është ajo e “Ushtrimit të funksioneve pas dhënies fund të detyrës, neni 249 i Kodit Penal”. Kjo akuzë ka të bëjë me shkarkimin e punonjësve, në kohën që KQZ kishte shpallur shkarkimin e tij nga detyra.

Kajmaku u denoncua nga Partia Demokratike

Ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, u akuzua nga Partia Demokratike se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, për veprën penale të falsifikimit të parave, por që nuk e kishte paraqitur në formularin e dekriminalizimit. Akuzat e PD u konfirmuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila, pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person.

Fillimisht, ai i mohoi akuzat e opozitës, duke thënë se nuk ishte arrestuar asnjëherë, por pas konfirmimit nga Prokuroria, ai publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që e shpallte atë të pafajshëm, duke thënë se nuk e ka ditur për dënimin në vendin fqinj.

ME TE LEXUARAT