Detaje të reja nga atentati/ Shoferi i ‘Rrumit’ qëlloi mbi atentatorët e Ndojës, ja pse nuk u dogj makina

Aktualitet

Zbardhen të tjera detaje nga ngjarja e rëndë në Durrës, ku humbi jetën Andi Maloku dhe u plagosën Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho, i njohur edhe si “Rrumi”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Mësohet se në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe gëzhoja që nuk i përkasin dy kallashnikovëve që u gjetën në makinën e autorëve. Grupi hetimor mendon se është qëlluar nga një makinë tjetër, por jo drejt prokurorit, por drejt automjetit të atentatorëve. Dyshimet bien mbi një person që mund të jetë shoferi i Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi”.

Aleksandër Laho po udhëtonte me makinën e prokurorit dhe automjeti ku ndodhej edhe shoferi i tij po e ndiqte nga pas. Sapo atentatorët kanë filluar të qëllojnë drejt prokurorit, aty ku ndodhej edhe Aleksandër Laho, dyshohet se shoferi i këtij të fundit ka qëlluar me pistoletë ndaj automjetit të autorëve. Kjo mendohet se ka qënë arsyeja pse i dyshuari Redjan Rraja dhe dy persona të tjerë janë larguar direkt, duke mos vijuar të qëllojnë drejt makinës ku ndodhej Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho.

Mësohet gjithashtu edhe arsyeja se pse autorët nuk e kanë djegur dot makinën pranë Ishmit. Bëhet e ditur se Redjan Rraja dhe dy personat e tjerë, nuk e kanë hapur dot direkt bagazhin ku ndodheshin shishet me benzinë, dhe nga frika se mos i ndiqte automjeti ku ndodheshin miqtë e Aleksandër Lahos, janë larguar me shpejtësi, kjo edhe për t’i shpëtuar zbulimit.

ME TE LEXUARAT