Atentati ndaj prokurorit/ “Zëri i Amerikës”: Reagimi i pazakontë i Ramës dhe Braçes

Aktualitet

Policia shqiptare njoftoi në Tiranë arrestimin e shtetasit Redjan Rraja, i dyshuar si një nga autorët e atentatit me armë zjarri të premten ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoji, shoferit të tij Andi Maloku dhe udhëtarit tjetër në automjet Pëllumb Muharremi.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ai u kap në përpjekje për t’u larguar nga vendi. Një detaj tjetër është gjetja e gjurmëve të tij në një makinë të braktisur pas atentatit. Mediat vendase theksuan edhe lidhjet e tij familjare me deputetin e Partisë Socialiste Rrahman Rraja.

Redjan Rraja dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë, sulmoi me armë zjarri nga një automjet në ecje përgjatë autostradës Tiranë – Durrës prokurorin Ndoji mbrëmjen e së premtes.

Automjeti me të cilin ai po udhëtonte u qëllua me breshëri automatiku në një nga rrugët hyrëse të Durrësit.

Ndoji mbeti i plagosur, por është jashtë rrezikut për jetën. Shoferi i tij Andi Maloku është në gjendje më të rëndë nga plumbat në pjesë kritike të trupit.

Një person i tretë u plagos në automjet me emrin Aleksandër Laho, për të cilin njoftohet se ka ndërruar disa identitete.

Emri i prokurorit Ndoji tërhoqi vëmendjen e publikut pak javë më parë, pas urdhërit të tij për arrestimin e Drejtorit të Hipotekës së Durrësit, Liridon Pula.

Ky akt solli reagimin e pazakontë nga drejtuesit më të lartë të Qeverisë, kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrit Erion Braçe, të cilët në mënyrë të përsëritur e akuzuan atë si një personazh të lidhur me botën e krimit, e që vepron për llogari të bandave të Durrësit.

Prokurori Ndoji më herët ka punuar si avokat, kur ka mbrojtur disa emra të botës së krimit.

Personi që udhëtonte me të në makinë, Aleksandër Laho, ka ndryshuar disa herë identitetin. Ai dyshohet për përfshirje në veprimtari kriminale, një prej të cilave dhuna ndaj një biznesmeni libanez, i cili po investonte për ndërtimin e një kompleksi turistik në Gjirin e Lalzit.

/Zeri i Amerikes

ME TE LEXUARAT