Zbulohet emri/ Biznesmeni i fuqishem qe iu sekuestruan 12 mln euro

Aktualitet

Zbardhen detaje të reja në lidhje me sekuestrimin prej 12 milionë eurosh pasuri në Fier.

Burime nga policia kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për Arjan Shanaj, i cili njihet si biznesmen në Fier.Në kuadër të luftës së pandërprerë për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara nga veprimtaria kriminale, strukturat hetimore të Drejtorisë për Krimin Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale seksioni i Fierit, në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Aseteve të Sekuestruara e Konfiskuara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, finalizuan me sukses megaoperacionin policor ‘Furtuna’, në kuadër të të cilit u bë sekuestrimi i pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të shtetasit A. Sh., banues në Fier, të cilat kapin vlerën 12 milionë euro.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ky shtetas më datë 20 qershor 2017 u arrestua në flagrancë së bashku me shtetasin grek Th. K., pasi u kapën në Greqi me 20 kg kokainë, me vlerë të përafërt tregu rreth 800 000 euro.

Ata merreshin me importimin, magazinimin, përzierjen, falsifikimin, ricertifikimin, trafikimin, transportimin dhe shpërndarjen e kokainës nga vende të Amerikës Latine.

Menjëherë pas arrestimit në Greqi dhe shkëmbimit të informacionit me palën greke, Policia e Shtetit me iniciativë nisi hetimet proaktive ndaj shtetasit A. Sh., për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’.

Pas investigimeve për pastrim parash dhe gjurmimit të pasurive të shtetasit A. Sh. dhe personave të lidhur me të, Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Fier e referoi rastin në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, e cila regjistroi procedimin penal nr. 1371/2017.

Si rezultat i koordinimit, bashkërendimit dhe bashkëveprimit mes strukturave hetimore të Drejtorisë për Krimin Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale seksioni i Fierit, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier dhe Agjencisë së Menaxhimit të Aseteve të Sekuestruara e Konfiskuara, koordinuar nga Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, më datë 20.10.2019, vendosi sekuestron preventive të pasurive të paluajtshme të shtetasit A. Sh dhe personave të tjerë familjarë të tij

Këto pasuri përfshijnë:

• 3 shoqëri dhe konkretisht shoqëri ndërtimi e tregtimi gazi në Fier, Durrës, Tiranë, Korçë etj.

• 1 hotel trekatësh në Fier dhe një njësi shërbimi bashkëngjitur;

• 2 vila trekatëshe;

• 5 njësi shërbimi me sipërfaqe 7 982 m2;

• 3 apartamente banimi;

• 4 garazhe me sipërfaqe prej 1 092 m2, në Fier, Tiranë, Durrës;

• 8 793 m2 tokë, në Tiranë, Durrës, Fier;

• 20 000 euro në llogaritë bankare;

• Një automjet me vlerë 40 000 euro;

Strukturat përkatëse të Hetimit të Krimeve Ekonomike e Financiare në Fier, në bashkëpunim me administratorët e AAPSK-së kryen veprimet procedurale për kalimin e pasurive në administrim të AAPSK-së.

Theksojmë se aktiviteti kriminal i ushtruar nga ky shtetas në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike nga Turqia në Shqipëri gjurmohej nga Policia prej vitesh.

Në vitin 2014, në kuadër të procedimit penal të regjistruar më parë, shtetasi A. Sh. u arrestua në flagrancë nga Policia, për veprën penale armëmbajtja pa leje, pasi gjatë kontrollit të automjetit të tij Policia gjeti dhe sekuestroi dy armë zjarri dhe një sasi fishkesh, që i mbante pa leje.

Më datë 18.07.2016 shtetasi A. Sh. u shpall në kërkim pasi dyshohej se në bashkëpunim me shtetasin S.K., në vendin e quajtur ‘Ishull Lezhë’, kishte kanosur dhe goditur shtetasin A. Gj. duke konsumuar veprat penale ‘Dëmtime të tjera me dashje’ dhe ‘Kanosja’.

Policia e Shtetit vijon me vendosmëri e profesionalizëm punën për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale dhe fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë për të ndihmuar në evidentimin e pasurive të paligjshme të vendosura nga persona me aktivitet kriminal duke denoncuar në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112 çdo rast të tillë e çdo paligjshmëri në cilëndo fushë që ajo shfaqet. Policia e Shtetit ju garanton anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm, profesional e të paanshëm.

ME TE LEXUARAT