Lajmi Fundit
Lajmi i Fundit, Lajme Shqip, Gazeta, Informacione nga Shqiperia

Termeti i 1 nentorit ne Qafzeze, Banoret: Jemi rrenuar, banesat jane shkaterruar

KORÇË- Fshati Qafëzez i prekur nga tërmetet e njëpasnjëshme që prej fillim qershorit së fundmi u shkund nga një tjetër tërmet i fuqishëm siç ishte ai i 1 nëntorit.

Pasojat që la ky tërmet për 6 banesa në këtë fshat sipas vetë banorëve janë shkatërrimtare. Suva të rrëzuara, mure të shembura dhe çati të zbuluara është panorama që ofrojnë sot këto shtëpi. Dimri ka trokitur e dhjetëra banorë të Qafëzezit, midis tyre fëmijë e gra shtatzëne, vijojnë të qëndrojnë tek çadrat, kontenieret apo në ahur, së bashku me kafshët shtëpiake.

“Tërmeti i 1 nëntorit ka sjell shumë dëme. Pavarësisht dëmeve që ishin me 1 qershor. Çatia është prishur. Kanë rënë muret, tavanet. Çfarë bie jashtë futet brenda. Është shumë e vështirë. Kam një fëmijë 3 vjeç. Jam dita- ditës për të lindur. Ku ti çoj. Përjashta në çadër po rri”, thotë një grua shtatzënë.

Të ndodhur në kushte tepër të vështira banorët apelojnë për ndihmë. Ndërsa e vetmja zgjidhje sipas tyre për banesat e dëmtuara mbetet ndërtimi i tyre nga e para.

“Këtu nuk jetohet. Në kontenier rri. Sa vjen e më ftohtë. Po troket dimri në derë. Ftohtë është. Unë sot dua të më ndërtohet shtëpia asgjë tjetër”, thotë një banor.

“Banesat ishin të dëmtuara nga tërmeti i parë. Ky i hapi akoma më thellë çarjet. Nëse bie një tërmet tjetër, ato do të na zënë brenda. Jam i detyruar me gjithë familjen, me një vajzë të sëmurë të rri këtu me këtë çadër siç e shikoni edhe vetë në kushte miserable”, thotë një tjetër.

“Tërmeti i datës 1 nëntor na ka rrënuar fare. Me çati, mure, tavanë. Ne jemi katastrofë”, u shpreh një tjetër banor.

“Shumë ftohtë është. Po flemë përjashta”, tha një tjetër.

Grupet e vlerësimit dhe specialistët e emergjencave civile ndodhen në terren për një vlerësim të ri të banesave të dëmtuara, ndërkohë do të shikohet mundësia e ndërhyrjes nga ana e bashkive me fondet e tyre.

Leave A Reply

Your email address will not be published.