Lajmi Fundit
LajmiFundit, Portal me Lajme nga Shqiperia

Deputeti i PS nga Shkodra: S’mund te kete zgjedhje ne Shqiperi pa ndryshuar kodin zgjedhor

Deputeti socialist Arben Pëllumbi duke folur nga Shkodra pas një mbledhje të strukturave vendore si pjesë e grupit të punës për ristrukturimin e PS Shkodër deklaroi se nuk mund të ketë zgjedhje në Shqipëri pa ndryshuar Kodin Zgjedhor ndërsa tha se lëvizjet e kryedemokratit Lulzim Basha i sheh si një tërheqje nga veprimet ekstreme.

“Jemi dorë e shtrirë për të bashkëpunuar me opozitën. Nuk mund të ketë zgjedhje qoftë edhe të 2021 nëse nuk materializojmë ndryshimet e kodit zgjedhor që janë kërkuar të paktën nga OSBE. Rruga e këtyre ndryshimeve për kodin zgjedhor kalon përmes komisionit në parlament. Basha mori akt ekstrem që rezultoi i dështuar. Duhet të kërkojnë falje për atë që bënë pastaj të heqin ultimatumet dhe lëvizjen e Bashës e shoh si një tërheqje nga ultimatumet. Që të kalojmë në çfarëdo lloj zgjedhjesh kemi nevojë për kod të ri zgjedhor dhe pa instaluar kulturën që humbësi t’i japë dorën fituesit dhe ta lejojë fituesin të bëjë qeverisjen e tij ne nuk mbërrijmë në ndonjë gjë. Nuk është as kodi dhe as sistemi ai që i bën një palë zgjedhje më të mira ose më të këqija. Është mënyra se si ne i zbatojmë dhe se si ne sillemi ditën e nesërme, a vëmë Shqiperine apo partinë mbi të gjitha”, deklaroi Pëllumbi. Në mbledhjen e PS Shkodër, ku merrnin pjesë edhe deputetët Luan Harusha, Senida Mesi, Klotilda Ferhati dhe kryetarja e këshillit bashkiak Brisela Kadia pati edhe debate për punësimet, legalizimet, drejtorët rajonal që disa nuk janë emëruar ende dhe nuk pranojnë t’i sjellin nga qytete të tjera. Por këto u cilësuan nga Pëllumbi si debate normale.

Lidhur me situatën në bashkinë Shkodër, deputeti Pëllumbi tha se nuk mund të ketë zgjedhje të pjesshme pa pasur një date të dekretuar nga Presidenti.

“Riorganizimet edhe për debatet bëhen dhe takimi kishte në qendër riorganizimin. Partia Socialiste në gjithë Shqipërinë është në proces zgjedhjesh dhe për këtë shërbente kjo mbledhje në Shkodër. Është krejtësisht normale që të ketë debate sepse forcat politike janë organizime vullnetare dhe ka arsye të caktuara që e bëjnë këtë. Nuk përjashtohet mundësia që individë të caktuar të kenë probleme personale. Situata në bashkinë Shkodër duhet të marrë zgjidhje përmes Presidentit të Republikës duke shpallur një datë për zgjedhje të pjesshme në bashkinë Shkodër, rrugë tjetër nuk ka”, theksoi Pëllumbi.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet