Zbardhet shkresa që KLSH i dërgon Ramës: Ja sa do të pagujë shteti për dy rrugët

Aktualitet

Dy ditë para votimit në kuvend, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar qeverisë dhe parlamentit që të tërhiqen nga miratimi i koncesioneve për rrugën Milot-Balldren dhe atë Orikum-Dukat.

Top Channel publikon një shkresë konfidenciale, që KLSH i ka dërguar kryeministrit Edi Rama, zëvendëskryeministrit Erjon Brace, kryetarit të parlamentit Gramoz Ruçi dhe ministres së infrastrukturës Belinda Balluku ku i kërkon të rishikimin e dy kontratave, pasi sipas KLSH kanë shkelje serioze ligjore dhe pasaktësi të mëdha financiare.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Pasaktësitë e mëdha të konstatuara në këto kontrata i bëjnë modelet e tyre financiare jo të besueshme dhe të paqëndrueshme në aspektin e vërtesisë së anës financiare”, shkruhet në shkresën e KLSH.

Në dokumentin e fortë KLSH liston një sërë parregullsish, ku më flagrantja është ajo se buxheti i shtetit do i paguajë dy kompanive koncesionare gati 10 milionë euro interesa fiktive, për hua që nuk ekzistojnë.

“Vetëm për kontratën e Milot-Balldrenë, rezultojnë pagesa tepër, të pajustifikuara sipas kontratës dhe të panevojshme 6.1 milionë euro që përbëjnë pasoja negative financiare për buxhetin e shtetit”, shkruhet në shkresë.

Sipas KLSH, interesa fiktive do të paguhen edhe për rrugën tjetër orikum dukat, ku ka llogaritje gabim të interesave, por edhe marrje të panevojshme kredi.

“Për Orikum-Dukat do të paguhen 3.6 milionë euro interesa të panevojshme, që përbëjnë pasoja negative për buxhetin e shtetit, thuhet në shkresën e KLSH-së.

Pra në total për të dy rrugët, sipas KLSH-së qeveria do të paguajë gati 10 milionë euro interesa fiktive. Por organi suprem i auditimit thotë se përtej pagesave shtesë të interesave dy rrugët kanë rreziqe të mëdha për financat e shtetit, që burojnë nga kursi i këmbimit dhe mekanizmat e tyre të financimit./tch/

ME TE LEXUARAT