“Burim skandalesh”, BIRN: Ja cilës kompani i përket nafta e bllokuar

Aktualitet

Qeveria shqiptare njoftoi të mërkurën se ka bllokuar 550 tonë naftë jocilësore që i përket “rafinerisë së Ballshit”, ndërsa vijoi përpjekjet për të pastruar imazhin e vet nga akuzat se është e kapur nga interesa oligarkike.

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku njoftoi për median aksionin e ndërmarrë nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ndërsa nuk e fshehu aspektin propagandistik të aksionit duke e quajtur atë “rast shembull”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“…jemi çdo ditë duke punuar dhe duke analizuar të gjithë cilësinë në treg, duke krijuar edhe raste shembuj për të qenë të gjithë të qartë që nga kjo luftë kundër informalitetit nuk do të shpëtojë asnjë subjekt”, deklaroi Balluku sipas njoftimit për shtyp.

Edhe kryeministri Edi Rama theksoi karakterin e pazakontë të operacionit si dhe shënjestrimin e një kompanie që në opinionin publik konsiderohet si mbi ligjin.

“Lufta kundër Informalitetit nuk do të ndalet asnjë orë dhe para asnjë subjekti, duke filluar çdo ditë me të mëdhenjtë në radhë të parë!”, deklaroi Rama në faqen e tij në Facebook.

Në një mënyrë të paqartë, si ministrja Balluku ashtu edhe kryeministri Edi Rama iu referuan kompanisë përgjegjëse për naftën jocilësore si “Rafineria e Ballshit” por pa përmendur emrin e kompanisë të cilës i përket nafta.

Rafineria e Ballshit menaxhohet aktualisht nga një kompani e quajtur Tosk Energji, nën pronësi të një kompanie tjetër të regjistruar në Zvicër, pronarët e së cilës nuk janë të njohur për publikun.

Pyetur nga BIRN, Blerim Hoxha nga Tosk Energji duket se uli rëndësinë e bllokimit të kryer nga kryeministri dhe ministrja Balluku, duke e quajtur atë “procedurë të zakonshme kontrolli”.

“Ne duam të qartësojmë se inspektimi i kryer sot në rafinerinë e Ballshit është pjesë e procedurës sonë të përditshme të kontrollit të cilësisë dhe është kryer me kërkesën tonë,” tha Hoxha përmes një emaili.

“Në rastet se produkti nuk plotëson parametrat e kërkuar, ai kthehet sërish për rafinim të mëtejshëm”.

Hoxha duket se hedh poshtë pretendimet e kryeministrit se nafta në fjalë ishte “gati për treg”.

“Për hatër të qartësisë, produkti i analizuar nuk ka qenë subjekt i tregtisë dhe natyrisht nuk është deri në certifikimin final,” tha kompania për BIRN.

Sipas saj, nafta diezel e shitur nga kjo kompani “plotëson standardet Europiane”.

Tosk Energji është një kompani e krijuar në vitin 2015 e cila ka marrë me qira dhe operon rafinerinë e Ballshit që nga fundi i vitit 2017. Kjo e fundit, e ndërtuar në vitet ’60, njihet se prodhon naftë jocilësore si dhe ka qenë burimi i disa prej skandaleve më të mëdha të tre dekadave të fundit.

Para Tosk Energji, rafineria e Ballshit shfrytëzohej nga një kompani tjetër, e quajtur IRTC, e cila falimentoi në fillim të vitit 2018 duke lënë pa paguar dhjetëramilionë euro detyrime fiskale.

Para IRTC, Ballshi, bashkë me rafinerinë tjetër, atë të Fierit, menaxhoheshin nga ARMO. Kolapsi i saj i ka kushtuar taksapaguesve disa qindramilionë euro. [Link]

Kryeministri Edi Rama dhe partia socialiste është akuzuar në vijimësi nga partitë politike në opozitë se po qeveris vendin me ndihmën dhe në shërbim të një grushti të vogël biznesesh me karakter oligarkik.

Gjatë dy muajve të fundit, krerët e qeverisë, përfshirë Ramën, zëvendëskryeministrin Erjon Braçe apo zyrtarë të nivelit më të ulët, janë përpjekur vazhdimisht të paraqesin veten si luftëtarë kundër “bizneseve të mëdha” përmes goditjeve që duket se kanë prodhuar shumë lajme dhe postime në rrjetet sociale, por që deri më sot nuk kanë pasur efekt në të ardhurat buxhetore.

Buxheti i shtetit po vuan gjatë këtij viti mungesë të të ardhurave dhe rënie të importeve të mallrave të akcizës, të tilla si nafta, cigaret apo kafeja.

Të dhënat për gjashtëmujorin e parë të këtij viti shënojnë një deficit në krahasim me planin në masën 3.6 miliardë lekë ndërsa të dhënat paraprake për korrikun kanë një deficit tjetër në masën 2 miliardë lekë më shumë.

Shënim: Ky shkrim është ndryshuar pas publikimit për të pasqyruar përgjigjen e Tosk Energji.

ME TE LEXUARAT