Isa Mustafa: LDK shkon vetëm në zgjedhje, do të takohem me Haradinajn

Kosovë&Rajon

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka takuar të hënën kreun e PSD-së, Shpend Ahmetin dhe atë të Nismës, Fatmir Limajn. Ai tregoi se vetë u ka bërë ftesë krerëve të këtyre dy partive për të biseduar, ndërsa ka treguar se a do të takohet edhe me të parin e AAK-së, Ramush Haradinajn

Mustafa ka thënë se do të takohet me Haradinajn, pasi sipas tij çdo takim është i vlefshëm dhe se nevojitet një proces zgjedhor i rregullt dhe transparent. Mustafa ka lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me Haradinajn edhe pas zgjedhjeve.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Mendoj se do të takohemi. Çdo takim është i vlefshëm, pa marrë parasysh objektivat. Na nevojitet një proces zgjedhor i rregullt , i pranueshëm dhe transparent. Sido që të jetë do të kemi nevojë të bashkëpunojmë edhe pas zgjedhjeve. Nuk përfundon çdo gjë me zgjedhjet”, ka thënë Mustafa.

Kreu i LDK-së ka shtuar se partia e tij mban qëndrimin që të shkojë vetë në zgjedhje, por ka thënë se edhe kjo do të diskutohet në Këshillin e Përgjithshëm të partisë.

“LDK mban qëndrimin parimor që të shkojmë vetë në zgjedhje, por edhe këtë do ta diskutojmë në ditët në vijim në Këshillin e Përgjithshëm. Vendi është qeverisur keq e më keq nga Koalicioni PAN, prandaj nevojiten ndryshime”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa Mustafa të hënën është takuar me Ahmetin dhe Limajn. Ai ka thënë se takimet e tilla janë të dobishme për të vlerësuar bashkërisht momentet që po kalon vendi.

“Sot bisedova, në takime të ndara, me z. Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate dhe me z. Shpend Ahmeti, kryetar i PSD-së. Takimet e tilla, konsideroj se, janë të dobishme për të vlerësuar bashkërisht momentet që po kalon vendi ynë, pa marrë parasysh kalkulimet partiake për zgjedhjet e ardhshme. Kemi nevojë të ndërtojmë një kulturë komunikimi si shprehje e kulturës tonë demokratike”, tha Mustafa të hënën. / Gazeta Express

ME TE LEXUARAT