Shqipëria po shpopullohet/ 40 mijë shqiptarë ikën në 3 muaj e parë të 2019

Aktualitet

Azilantë, studentë dhe të punësuar.

Shqiptarët po gjejnë mënyra të ndryshme për t'u larguar nga vendi. Gjithnjë e më shumë po preferojnë emigrimin përmes kontratave të punës pa iu nënshtruar regjimit të kampeve të azilkërkuesve.

Këta janë më së shumti mjekë, infermierë dhe specialistë të fushës së teknologjisë, që presin të plotësojnë dokumentet për punësim të rregullt në Gjermani.

Sipas EUROSTAT, gjatë vitit 2018 janë dhënë 9 288 leje qëndrimi për qytetarët shqiptarë nga vendet e Bashkimit Europian për arsye punësimi.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Lejet e qëndrimit për punë përbëjnë rreth 15% të lejeve të lëshuara, duke pësuar një rritje me rreth 65% krahasuar me vitin 2017, kur u dhanë 5 622 leje qëndrimi për të njëjtat arsye.

Në vend të parë është Gjermania me 3 549 leje punësimi, vend i cili po tërheq në masë edhe mjekët dhe infermierët nga Shqipëria.

Më pas qëndron Italia me 1 675 leje të dhëna, Greqia me 1 635 leje dhe Kroacia me 1 072.

Malta është destinacioni më i ri i punësimit për shqiptarët.

Në vitin 2018 ky shtet dha 468 leje të reja qëndrimi për arsye punësimi për shqiptarët, nga 161 që kishte dhënë një vit më parë.

Por krahas specialistëve të shëndetësisë, po rriten kërkesat edhe për profesionistë të rinj që kanë mbaruar studimet për teknologji informacioni, duke krijuar një vakum për profesionistë në fusha të ndryshme në tregun vendas të punës.

Ndaj ekspertët shprehen se shteti duhet të marrë masa emergjente.

Plaga e reduktimit të popullsisë për vendin tonë po thellohet. Në 10 vitet e fundit kemi një reduktim me 333 mijë banorë dhe kryesisht kjo vjen nga emigrimi, por edhe ulja e lindjeve.

Vetëm në tre muajit e parë të 2019, rreth 40 mijë shqiptarë braktisën vendin për të emigruar jashtë kufijve.

Ndërsa në dy javët e para të këtij muaj rreth 2 800 studentë kanë aplikuar për studime jashtë vendit. /Klan+

ME TE LEXUARAT