Durrës, gjykata del mbi gjykatën, i njeh mandatin Valbona Sakos

Aktualitet

Gjykata e Durrësit ka anuluar vendimin e vetvetes dhe ka njohur mandatin e Valbona Sakos si kryebashkiake e re e qytetit. Partia Socialiste nuk e ka apeluar vendimin e gjyqtares së Durrësit në gjykatën e Apelit, por ka zgjedhur ta rishqyrtojë çështjen në një proces të ri, me një gjykatës të ri në të njëjtën gjykatë. Shpëtim Reka është gjyqtari që ka dhënë vendimin në kundërshtim me verdiktin e shpallur pak ditë më parë nga një tjetër kolege e tij e cila vendosi të mos njohë mandatin e Valbona Sakos.
Me një vendim të ri, ajo është konfirmuar në detyrën e kryebashkiakes së qytetit bregdetarë. PS ka bërë dje dorëzimin dhe regjistrimin e padisë me objekt: ‘vërtetimin e mandatit të Bashkisë Durrës për Valbona Sakon.
Vërtetimi erdhi pas kërkesës për ta bërë këtë gjë që i ka dërguar Partia Socialiste dje, firmosur nga kryesocialisti Edi Rama.
Rama i është drejtuar të enjten me një kërkesë Gjykatës së Durrësit, duke i kërkuar të njohë fituesen e Aleancës për Shqipërinë Evropiane në Bashkinë Durrës, Valbona Sako. Shorti i ra gjyqtari Shpëtim Reka, i cili mori një vendim të ndryshëm nga kolegia e tij që i quajti të pavlefshme zgjedhjet për shkak të regjistrimit të Bindjes Demokratike përtej afateve.
Të njëjtën strategji pritet që PS-ja të ndjekë edhe me Vorën, pra duke përsëritur kërkesën, këtë herë jo nga kandidati fitues, por si subjekt Partia Socialiste me kryetar Edi Ramën.

Në vendimin e saj të mëparshëm, gjykata argumenton se Bindja Demokratike është regjistruar në gjykatë më 25 prill, në tejkalim të afatit për regjistrim si subjekt zgjedhor në KQZ. Ndërkohë vendimi për zgjedhjet është dhënë nga Kolegji Zgjedhor si gjykata më e lartë vendimarrëse për procesin zgjedhor.

ME TE LEXUARAT