Erdogan e organizoi vetë grushtin e shtetit në korrik 2016?

Bota

Pavarësisht humbjes së rëndë në zgjedhjet e fundit lokale, Rexhep Taip Erdogan, i ruan ende pozitat e forta në krye të Turqisë. Ndërkohë, orët e tij më të vështira në 17 vite pushtet, kanë qenë ato të natës midis 15 dhe 16 korrikut 2016, kur një grup ushtarakësh tentuan të organizojnë një grusht shteti për ta rrëzuar atë nga pushteti.

Për disa orë rresht, mijëra ushtarë turq morën në kontroll zonat kryesore të Ankarasë dhe Stambollit. Disa avionë dhe helikopterë ushtarakë bombarduan selinë e shërbimit sekret turk dhe atë të forcave speciale, teksa qindra ushtarë mësynë në kompleksin rezidencial të kreut të shtetit për ta arrestuar Erdoganin.

Siç u tha me vonë, Erdogan ishte informuar në momentin e fundit, dhe ishte larguar me shpejtësi nga truprojat e tij në një vend të sigurt. Drejtuesit e grushtit të shtetit, arritën që të vënë nën kontroll televizionin shtetëror dhe agjencinë shtetërore të lajmeve, prej nga ku deklaruar se Erdogani ishte rrëzuar, dhe se pushtetin e kishte marrë përkohësisht ushtria.

Të paqartë mbi ecurinë e ngjarjeve, SHBA, Bashkimi Evropian dhe Rusia, patën në fillim reagime të matura, pa u pozicionuar mbi njërën apo tjetrën palë. Uashingtoni bëri thirrje për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Turqi, ndërsa Moska që të shmangej gjakderdhja.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Rreth orës 23.00 u përhapën zëra se Erdogan ishte arrestuar. Pak minuta më vonë, presidenti shpërndau një video-mesazh përmes CNN turk, duke i kërkuar popullit të ngrihej dhe të dilte në rrugë për të mbrojtur demokracinë. Ky ishte edhe fillimi i fundit, të atij grushti shteti të mbetur në tentativë.

Qindra mijëra njerëz mësynë rrugëve të Ankarasë dhe Stambollit, duke u dalë përpara tankeve dhe autoblindave. Ndërkohë vazhduan përplasjet mes forcave të ushtrisë dhe policisë, por edhe qytetarëve, si pasojë e të cilave u vranë 350 njerëz, dhe u plagosën 2185 të tjerë. Pak pas mesnatës, puçi ushtarak thuajse kishte dështuar.

Ushtarakët e lartë dhe mijëra ushtarë të thjeshtë u arrestuan. Erdogan foli për një triumf të demokracisë, teksa u zotua se komplotistët do ta paguanin shtrenjtë. Ai akuzoi që atë natë organizatën e klerikut turk njëherazi ish-mikut të tij Fetullah Gylen, FETO, si organizatoren e atij grushti të dështuar të shtetit.

Ai do të kërkonte që të nesërmen nga SHBA, arrestimin dhe ekstradimin e Gylenit, që aktualisht banon në Pensilvani. Uashingtoni refuzoi, duke thënë se nuk kishte garanci që kleriku do të kishte një proces të rregullt gjyqësor në Turqi. Pasi u qartësua situata, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti amerikan Barak Obama, deklaruan se e mbështesin qeverinë turke të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Por Erdogan shprehu hapur zemërimin që kishte me ta. Sipas tij, Perëndimi uronte që grushti i shtetit të kishte sukses, dhe që ai të ishte rrëzuar atë natë nga pushteti, ndaj nuk e kontaktuan që në fillim, sikurse bëri në fakt presidenti rus Vladimir Putin, që zhvilloi një bisedë telefonike me Erdoganin në ato orë dramatike për Turqinë.

Fillimisht u pretendua se drejtues i komplotit ishte koloneli Muharrem Kose, i përjashtuar nga ushtria në mars të atij viti. Ai u arrestua më 19 korrik 2016. Por pak ditë më vonë u lirua, dhe çuditërisht u emërua në zyrën e Shtabit të Përgjithshëm.

Përveç Gylenit, si përgjegjës për grushtin e dështuar të shtetit, u bë edhe CIA-a amerikane. Filllimisht kësaj teze iu bë jehonë nga mediat ruse. Më pas u rimor nga mediat pranë Erdoganit. Sipas tyre organizatori dhe financuesi i përpjekjes së grushtit të shtetit, ishte gjenerali amerikan, John F.Campell, ish-komandant i Forcës Ndërkombëtare të Ndihmës së Sigurisë (ISAF), një mision i sigurisë i udhëhequr nga NATO në Afganistan.

Autoritetet turke, prenteduan se Campbell menaxhoi më shumë se 2 miliardë dollarë të kaluara nëpërmjet bankës “UBA Bank” në Nigeri, duke përdorur lidhjet e CIA-s, për t’i shpërndarë tek personeli ushtarak pro-grushtit të shtetit në Turqi.

Hetimet zbuluan se Campbell kishte zhvilluan të paktën 2 vizita sekrete në Turqi që nga maji i 2016-ës, deri në ditën e tentatiës së grushtit të shtetit. Ndërkohë ndërmjet 26 gushtit 2014 dhe 1 majit 2016, Campell kishte zhvilluar disa takime sekrete në bazat ushtarake turke në Erzurum dhe Inicrlik.

Këto akuza, u hodhën poshtë si qesharake nga ana e Pentagonit. Ndërkohë së fundmi, uebsajti investigativ “Nordic Monitor”, ka bërë publike disa dokumente sekrete, që sipas autorit të investigimit Abdullah Bozkurt, tregojnë se Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë turke në kohën e puçit, sot Ministër i Mbrojtjes, Hulusi Akar, ka qenë në fakt kreu i grupit të komplotistëve.

Dokumentet sekrete, të marra nga një kompjuter në selinë e Shtabit të Përgjithshëm, që u përdor për të shkruar deklaratën e grushtit të shtetit, përfshinin draft-versionet e nënshkruara nga vetë Akar në emër të Këshillit të Paqes në Atdhe (Yurtta Sulh Konseyi), emri që puçistët i vendosën vetes.

Në një dokument, Akar identifikohet si kryetar i këtij këshilli, ndërsa në një draft tjetër emri i tij është hequr, por përdorimi i termit “nënshkruar”, forcon dyshimet se shefi i shtabit të përgjithshëm, e kishte nënshkruar tashmë direktivën. Bozkurt vëren se çuditërisht pjesëtarët e Këshillit të Paqes në Atdhe, nuk u identifikuan kurrë, pavarësisht se mijëra oficerë që nuk ishin përfshirë në mobilizimin e puçistëve janë hetuar, akuzuar dhe dënuar për akuza të dyshimta dhe për terrorizëm që nga viti 2016.

Po si ka mundësi që Akar, nuk mbajti sadopak përgjegjësi për grushtin e tentuar të shtetit, duke u ngritur më tej në detyrë? Në dëshminë e tij në prokurori, në cilësinë e dëshmitarit më 18 korrik 2016, Akar pretendoi se ndodhej në paraburgim.

Por kjo u përgënjeshtrua gjatë procedurave gjyqësore dhe pamjet e kamerave të sigurisë, që tregonin se ai lëvizte lirshëm dhe pa asnjë kufizim. Ndërkohë, shumë prej akuzave të Akar, u rrëzuan nga oficerë të tjerë në sallën e gjyqit gjatë seancave dëgjimore. Për më tepër, ai nuk u paraqit si dëshmitar i qeverisë në këto procedura.

Për Abdullah Bozkurt, të gjitha provat duket se konfirmojnë faktin që Akar ka bashkëpunuar me shefin e inteligjencës turke Hakan Fidan, dhe presidentin Rexhep Taip Erdogan, për të bërë organizuar një grusht shteti të rremë, që do të përdorej me pas si një pretekst për një spastrim masiv të pashembullt të oficerëve nga ushtria e dytë më e madhe e NATO-s në.

Dhe në fakt, grushti i dështuar e ndihmoi Erdoganin të shkarkonte oficerët pro-NATO nga ushtria, duke përfshirë 70 për qind e të gjithë gjeneralëve dhe admiralëve, pavarësisht nga pozicioni i tyre në komplot.

Ata janë zëvendësuar nga islamistët dhe neo-nacionalistët, të cilët janë armiqësorë ndaj aleancës transatlantike. Kjo sipas tij shpjegon edhe arsyen, se përse Akar dhe Fidan, zhvilluan takime të gjata dhe misterioze mes tyre në datat 14-15 korrik 2016./ TIRANA TODAY

ME TE LEXUARAT