Gent Cakaj: BE të mbajë premtimin e bërë për negociatat

Aktualitet

Përpara vendimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka deklaruar se Shqipëria pret që BE të mbajë premtimin e bërë për çeljen e negociatave pas njohjes së progresit.

“Shqipëria ka kryer detyrën e saj! Një vendim pozitiv për hapje të negociatave është vendimtar për besueshmërinë e BE-së dhe të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor. Bisedimet për anëtarësim janë të domosdoshme për thellimin e reformave në vend dhe për rolin e BE-së në rajon. Shqipëria pret që Bashkimi Evropian të mbajë premtimin e bërë dhe është gati për të kaluar në fazën e radhës,” shprehet Cakaj në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Twitter.

Brukseli pritet ta shtyjë për në vjeshtë hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjermania do të përdorë veton me arsyetimin se parlamentarët e saj nuk kanë pasur kohën e mjaftueshme për t’u konsultuar me konkluzionet pozitive të Komisionit Europian për dy vendet e Ballkanit.

Duke folur para takimit në Luksemburg me homologët e tij europianë, kryediplomati gjerman Michael Roth tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur detyrat, por për arsye kohe Gjermania do e marrë vendimin brenda tetorit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ndërkaq, ministri austriak për Europën, Aleksandër Shalenberg, tha se refuzimi i negociatave për dy vendet do të ishte një sinjal i keq për kredibilitetin e BE-së.

ME TE LEXUARAT